SELEKTORI I RI E NIS ME FITORE
Foda nis mbarë, Kosova mposht Armeninë
22 March, 2024 @19:07
Kosova ka nisur mbarë vitin 2024 me përzgjedhësin e ri, që në debutim në ndeshje miqësore ka nisur me fitore. Kosova ka dalë fituese në Jerevan ndaj Armenisë, me një gol të shënuar nga Milot Rashica, që ka qenë ndër lojtarët më të dalluar të ekipit përgjatë minutave sa ishte në fushë.
Gjermani nuk bëri ndonjë befasi të madhe në 11-shen startuese të Kosovës, ndërsa futbollistët edhe njëherë treguan se të zakonshmit kanë qenë më meritorët për të qenë pjesë e 11-shes, pasi që ky është kapacitet aktual i Dardanëve.
Sa i përket lojës, që nisi me aktivitetin e Edon Zhegrovës në krah, solli edhe golin, kur depërtimi dhe krosimi i tij jo i mirë, e bënë një karambol në zonë, e Rashica me përvojë, futi topin në rrjetë (26’) për t’i dhënë epërsinë Kosovës. Ky doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes, Armenia - Kosova 0-1 [Milot Rashica 26’].
Kosova më pas pati edhe disa raste shumë të mira për shënim, por në pjesë të dytë Rashica u ndalë nga portieri Buchnev (62’). Para kësaj, Rashica pati edhe një goditje të mirë, që shkoi pranë portës armene.
Mbrojtja me Fidan Alitin si komandues kishte kontrollë, por në kundërsulmet e armenëve që vinin pas topave që i humbte Zhegrova duke tentuar driblime shtesë, fatmirësisht nuk paraqitnin rrezik të madh derisa edhe goditjet e kundërshtarit nuk ishin fort precize.
Ajo që u vërejt në 20 minutat e fundit kur nisën zëvendësimet e Fodës me Kosovën, ishte moskoordinim në pasimin final, ku njëherë Blendi Idrizi nuk pasoi, pastaj Albion Rrahmani vonoi topin dhe të tilla.
Armenia kishte disa mungesa në ekip. Ndërsa ekipi i tyre nuk njeh fitore që prej qershorit të kaluar.
Në përgjithësi, Kosova duhet të jetë e kënaqur vetëm me rezultatin në këtë ndeshje. Ndërsa testi më i vështirë i pret pas katër ditëve, kur luajnë ndaj Hungarisë në Budapesht.
- - -
KOSOVA XI: Muric; Dellova, Aliti, Vojvoda, Paqarada; V. Berisha, Loshaj, Muslija; Rashica, Zhegrova, Muriqi.
Luajtën edhe: Zymer Bytyqi për Zhegrovën (68’), Donat Rrudhani për Muslijën (68’), Blendi Idrizi për Valon Berishën (68’), Ilir Krasniqi për Paqaradën (84’), Albion Rrahmani për Rashicën (84’).