GOLGETERI
Forma e Rashanit frikëson gjeorgjianët
1 September, 2021 @19:34
Sulmuesi i Kosovës, Elbasan Rashani, si duket ka ndjellë frikë në te gjeorgjianët para ndeshjes së nesërme.
Forma e tij e mirë me Clermontin, ku shënoi dy gola ndaj Lyonit dhe një asist e një gol tjetër ndaj Metzit ka bërë që ai të pyetet direkt nga gazetarët e vendit për lojën e tij.
Ndërsa para saj, Rashani ka komentuar ndeshjen e nesërme si të rëndësishme dhe ka treguar se është në formë të mirë.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT AKTUALE
“Kemi synim rezultat të mirë. Krejt e dimë se na duhet kjo. Me rëndësi është që edhe performanca e mirë, besoj që vjen edhe rezultati. Une jam në formë të mirë, gati për ekipin, gati për luftë,” ka thënë Rashani fillimisht.
Ndërsa pas disa pyetjeve drejtuar selektorit Bernard Challandes, Rashani u pyet për Ligue 1 dhe formën e tij.
“Një eksperiencë e re për mua. Ligue 1 është ligë e fortë dhe jam i lumtur për këtë start që kam me ekipin e ri. Por, tash jam këtu për kombëtaren dhe duhet të tregojmë fuqinë si grup dhe të marrim eventualisht pikë nga kjo ndeshje,” ka thënë ndër të tjera sulmuesi i Kosovës.
Golat e Rashanit të shënuara në dy ndeshjet e fundit kanë bërë që ai të jetë ndër shënuesit kryesorë në Ligue 1 pas 4 xhirove të zhvilluara, ndërsa Clermont që erdhi nga Ligue 2 në Ligue 1 ende nuk ka pësuar humbje.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT AKTUALE
Stadiumi do të jetë pa shikues. A përbën kjo një avantazh për futbollistët e Kosovës, ka qenë pyetja tjetër drejtuar sulmuesit të Clermontit dhe të Kosovës.
“Jo, nuk jemi të lumtur që ndeshja luhet pa tifozë. S’është lehtë të luash në stadium bosh, qoftë në shtëpi, qoftë si mysafir. Mendoj njëjtë si trajneri në këtë aspekt, duhet të pranojmë situatën ku jemi dhe duhet të fokusohemi plotësisht për ndeshjen e nesërme,” ka shtuar në fund Elba, siç e thërrasin shkurt Elbasanin.
Kosova ka humbur dy ndeshjet e para të Grupit B, nga Suedia e Spanja. Gjeorgjia në anën tjetër ka siguruar pikë jashtë, duke barazuar me Greqinë, ndërsa është mposhtur vonë në përballje ndaj Spanjës.
Gjeorgjia para kësaj ndeshjeje ka një pikë në këtë grup, ndërsa Kosova është e fundit në grup me zero pikë.
Ndeshja luhet nesër në stadium Batumi Arena me fillim prej orës 18:00.