TREPÇA '89 - FERIZAJ

Gabon edhe lideri
9 April, 2017 @16:56
Gabimin e Feronikelit dje, nuk e ka shfrytëzuar skuadra e Trepçës ‘89, e cila sot barazoi pa gola ndaj skuadrës së Ferizajit në shtëpi.
Ashtu siç edhe pritej, ndeshja filloi me dominimin e mitrovicasve, të cilët rastin e parë për shënim e patën në minutën e 13’ përmes Oto Johnit. Më pas, raste për shënim patën edhe Fiton Hajdari e Lapidar Lladrovci, mirëpo goli nuk u gjet dhe pjesa e parë u mbyll me rezultat 0-0.
Rastet dhe dominimi i Trepçës ‘89 vazhduan edhe në pjesën e dytë. Rreziku i parë në këtë pjesë erdhi nga Oto John, i cili në minutën e 53’ të takimit u tregua i pasaktë me kokë në një rast tejet të volitshëm për shënim. Pak minuta më vonë, rast të mirë pati edhe Fiton Hajdari, mirëpo goli atij iu mohua nga portieri mysafir, i cili reagoi me një pritje fenomenale.
Ishte përsëri Fiton Hajdari ai që e rrezikoi portën e ferizajasve në minutën e 89’, mirëpo goditja e tij përfundoi në shtyllë. Pak sekonda pas mundësisë së Hajdarit, rast të mirë pati edhe Shpëtim Idrizi, mirëpo golin e mohoi reagimi fantastik i portierit Rexhepi, i cili sot ishte në ditën e tij dhe ia siguroi një pikë tejet të vlefshme Ferizajit në luftën për mbijetesë.
Ky barazim nënkupton që diferenca e Feronikelit ndaj Trepçës ‘89 në tabelë të mbetet e njëjtë, kurse Ferizaji ndodhet në vendin e dhjetë.