GJILANI - DRENICA
Gabon, por mbetet lider
10 November, 2019 @14:54
Në takimin e luajtur sot në stadiumin e qytetit në Gjilan, Gjilani ka barazuar 1-1 ndaj Drenicës.
Serinë e golave në këtë takim e hapi Fiton Hajdari, duke shënuar për 1-0 nga pika e bardhë në minutën e 39’ të ndeshjes, derisa barazimi i mysafirëve erdhi në minutën e 71’ të ndeshjes, kur Harmon Gbowea shënoi me kokë pas daljes jo të menduar mirë të portierit Kenan Haxhihamza. Për Gbowean ky ishte goli i gjashtë me fanellën e Drenicës këtë sezon, ndërsa ishte pikërisht ky lojtar që në minutën e 90+3’ të ndeshjes u ndëshkua me karton të kuq, për ta lënë Drenicën me 10 lojtarë në fushë për pak minuta.
Në vazhdim të ndeshjes gola nuk pati dhe kështu Gjilani u detyrua të pajtohet me barazimin e parë këtë sezon, por për fat të mirë të gjilanasve, Ballkani u ndal nga Trepça ‘89 në Mitrovicë, duke bërë kështu që kreu edhe më tutje të jetë i Gjilanit.
Në xhiron e parë pas pushimit të kombëtareve, Gjilani i shkon Ballkanit, kurse Drenica e pret Vushtrrinë.