BELGJIKA - ANGLIA
Gjenerata e artë shënon historinë
14 July, 2018 @17:51
Reprezentacioni i Belgjikës me selektor Roberto Martinezin kanë arritur të shënojnë historinë e vendit duke përfunduar në vend të tretë në Botërorin Rusia 2018. Ky është rezultati më i mirë i Belgjikës në Botëroret e futbollit.
Belgjika sot me lojë të bukur dhe ofanzive mposhti Anglinë 2-0 duke e kapur vendin e tretë dhe medaljen e bronztë të Botërorit.
Belgjika më e mirë deri tash ka qenë ajo e vitit 1986, kur kishte arritur gjysmëfinalen e Botërorit Meksika 1986, por aty kishte përfunduar e katërta, pasi që në ndeshjen për vend të tretë ishte mposhtur nga Franca 4-2 pas vazhdime.
E kjo Belgjikë, do të regjistrohet në histori si më e mira e vendit, pasi që me golat e shënuara sot nga Thomas Meunier në fillim të ndeshjes dhe kryesori i ekipit, Eden Hazard në minutën e 82-të të lojës, fitoi vendin e tretë në Rusia 2018.
Sa i përket asaj në përgjithësi, Belgjika arritjen më të madhe e ka finalen e EURO 1980, kur u mposhtën nga Gjermania në finale.