DITARI RUS (20)
Mungesa e përvojës
Shkruan: LUAN MORINA
14 July, 2018 @15:40
Nisur nga profili i ekipeve, e nëpër çdo ditar e kam përsëritur që anglezët nuk kanë ekip e as përvojë për të arritur në çerekfinale. Të mërkurën u eliminuan në gjysmëfinale, ku kanë arritur nëpër një rrugë plot fat.
RRUGËTIMI
Me Kolumbinë fituan penalltitë, me suedezët shfrytëzuan dy raste. Me Kroacinë ishin të humbur në fushë karshi përvojës së liderëve të këtij ekipi, i cili gjithashtu sikur anglezët, që nga ndeshja me Argjentinën, nuk kanë shfaqur ndonjë lojë të veçantë. Dhe, si për ironi, në finale kemi dy ekipet që lojën më të bukur në këtë Kupë të Botës e kanë pasur kundër Argjentinës.
MOSHA
Hiq Ashley Young nga ekipi i parë i Anglisë, dhe mbetesh me Hendersonin e Walkerin 28 vjeçar si më të vjetrit në ekip. Pickford ka nisur të luajë startues për Anglinë jo më herët se një vit më parë. Vardy dhe Cahill janë të vetmit tjerë që kanë mbi 30 vjeç në këtë ekip, i cili në moshë mund të premtoj sukses, por dyshoj që do të arrijnë të kalojnë suksesin që kanë pasur në Rusi! Për të vetmen arsye – mendjemadhësinë!
STERLING DHE DELE ALLI
Imagjino të paguash 70 milionë euro për Raheem Sterlingun para dy viteve; t’i vësh çmimin 100 milion Dele Allis, e të vendosësh Hendersonin si kapiten të kombëtares, siç ka qenë deri para ardhjes së Southgate. Gabimi i trajnerit ishte insistimi me të njëjtin formacion, dhe ndryshime më të mençura e më hershme, dhe mbi të gjitha një taktikë – s’mund të quajmë taktikë topat e ndërprerë dhe ata të gjatit drejt Sterlingut – do të mund të rezultonin me një kualifikim të Anglisë në finale!
MENDJEMADHËSIA
Rreziku më i madh për këtë ekip, pos mendjemadhësisë së zakonshme të lojtarëve të cilët edhe në Monchengladbach mbeten rezerva (ëhëm, Reece Oxford!), është ideja që kanë shkëlqyer me futboll! Sigurisht që ka pasur avancime në krahasim me garat paraprake – një kapiten i vërtetë në Harry Kane, një portier i sigurt për herë të parë pas 30 viteve, kanë fituar më në fund në penallti, dhe mbi të gjitha janë argëtuar! ‘It’s coming home’, ka qenë më pak reale se ‘Will Grig’s on fire’. Kënga e para 22 viteve është ringjallur për t’u argëtuar dhe ia ka dalë qëllimit! Ndoshta më shumë se sa për të festuar organizimin e Euro96 që organizohej për herë të parë në Angli!
PAPËRVOJË
Për një pjesë të të tifozëve të futbollit, kënga për Will Grig e kësaj radhe Jamie Vardy, do të mbetet e preferuar! Ngjashëm si rrugëtimi i këtij ekipi të papërvojë, i cili me më shumë përulësi do të shënonte në dy raste të shkëlqyeshme shënimi kundër kroatëve në gjysmëfinale. Me një vet-kritikë mund të bëhen në një ekip serioz. Përndryshe rrezikojnë të mbeten si Belgjika – shumë yje, por gjithmonë diçka nuk funksionon!