HAPET PERDJA E XHIROS
Gjilani e Llapi, hapin xhiron
25 September, 2015 @8:50
Gjilani dhe Llapi sot në ora 14:00 në stadiumin e qytetit të Gjilanit hapin xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës.
Gjilani do të hyjë në ndeshje i kthyer nga humbja prej Istogut në xhiron e shkuar, derisa Llapi ka mposhtur Drenicën një xhiro më parë në Merdare për të dalë nga pjesa e fundit e tabelës.
Ndjek liderin
Ekipi i Sedat Pajazitit është ndër katër ekipet e para që kanë arritur dhjetë e më shumë pikë në 6 xhirot e para. Në fakt, Gjilani është i dyti në tabelë me 4 pikë më pak se lideri Trepça’89 dhe tashmë pret t’i afrohet edhe më tepër mitrovicasve.
Në anën tjetër, Llapi do të kërkojë mundësinë të nxjerrë pikë nga Gjilani, që nuk ka humbur asnjë pikë në shtëpi.
Llapi mund të befasojë
Llapi në ekip ka futbollistë që din të shënojnë dhe me siguri se nëse i paraqitet rasti ata nuk do të lënë pa shënuar, sikurse që i bënë Vushtrrisë në xhirone parë të këtij stinori.
Enis Zabërxha dhe Getoar Dragusha janë golashënues më të mirë të llapjanëve deri më tani, me nga 3 gola të shënuara, kurse te Gjilani, mund të shënojë çdokush, pasi që kanë 4 lojtarë me nga 2 gola të shënuara në listën e shënuesve: Dren Gashi, Isa Eminhaziri, Betim Haxhimusa dhe Gëzim Rusi.