GJILANI - LLAPI

Gjilani e Llapi ndajnë pikët
15 April, 2017 @16:54
Në një mot të mirë për lojë dhe në praninë e afro 200 shikuesve, dy skuadrat e mesit të tabelës, Gjilani e Llapi, u detyruan të kënaqen me nga një pikë.
Të parët në epërsi kaluan gjilanasit me golin e Zgjim Mustafës në minutën e 25’ të takimit. Mustafa shfrytëzoi pasimin e mirë të Armend Thaqit dhe shënoi për 1-0, ndërsa po i njëjti lojtar e shpërdoroi një rast tjetër të mirë në minutën e 12’ të takimit.
Në anën tjetër, presioni i Llapit filloi pas minutës së 35’ të takimit. Fillimisht, llapjanët shpërdoruan një rast përmes dyshes Mirlind Daku - Florim Bërbatovci, mirëpo në minutën e 4’ të kohës shtesë, ishte pikërisht Florim Bërbatovci ai që e fitoi një penallti për skuadrën e tij, penallti të cilën vetë e konkretizoi në gol dhe pjesa e parë u mbyll me rezultat 1-1.
Në pjesën e dytë, loja e mirë vazhdoi nga të dyja skuadrat, mirëpo gola të tjerë nuk pati dhe ndeshja u mbyll 1-1, rezultat i cili nuk i prish punë asnjërës skuadrës, kur dihet që të dyja ndodhen në pozicione solide në mesin e tabelës.