Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - GJILANI

Gjilani triumfon në Suharekë, Drita kampione vjeshtore!

Gjilani triumfon në Suharekë, Drita kampione vjeshtore!


19 December, 2020 @14:30

Pas fitores në kuadër të Kupës në mesjavë, Bylbyl Sokoli aventurën e tij të dytë personale me Gjilanin e ka filluar me fitore edhe në Superligë.

Në ndeshjen e mbetur nga xhiroja e XII, Gjilani arriti ta befasojë Ballkanin në Suharekë, duke e mposhtur bindshëm 0-4 (Ardit Hila 13’ 44’ 81’, Darko Nikaç 56’).

Për shkak të suspendimit të Ismet Munishit, sot Ballkanin në fushë e drejtoi Agim Maliqi.

TABELA AKTUALE

Gjilani zhvilloi një pjesë të parë fantastike në të gjitha repartet dhe kjo iu shpërblye me dy gola të shënuar.

I asistuar dy herë nga Darko Nikaç, shënues i dy golave të Gjilanit në pjesën e parë ishte Ardit Hila. Ai fillimisht shënoi në minutën e 13’, gol që erdhi pas një gabimi të portierit Rugji, e më pas shënoi në minutën e 44’.

Në pjesën e dytë, Nikaç, pas dy asisteve, super-ndeshjen personale dhe të skuadrës e kompletoi edhe me një gol, duke shënuar për 0-3 në minutën e 56’.

Rreth 10 minuta para fundit, Ardit Hila shënoi për 0-4, rezultatin përfundimtar të ndeshjes dhe hat-trickun e tij personal.

Pak para fundit (90+2’), Jackson Ferreira i Gjilanit dhe Mevlan Zeka i Ballkanit u përjashtuan nga loja pas dy kartonëve të verdhë, mirëpo kjo nuk luajti rol në epilogun përfundimtar të takimit.

Nëse flasim për statistika, Ballkani në 18 ndeshjet e luajtura në Superligë sivjet, nuk ka shënuar vetëm në 2 prej tyre. Që të dyja ato ndeshje kanë qenë ndaj Gjilanit (0-0 në Gjilan, 0-4 në Suharekë).

Kjo ishte humbja e parë në shtëpi për Ballkanin sivjet, humbje e cila bën që kampione vjeshtore në Superligë sivjet të jetë Drita, pavarësisht rezultatit në ndeshjen që kjo e fundit e luan nesër ndaj Prishtinës.

Në anën tjetër, Gjilani në pushim dimëror shkon me 29 pikë pas 18 ndeshjeve të luajtura.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga