DERBIT E FUNDJAVËS
“Final Four” që përcakton kampionin vjeshtor
18 December, 2020 @13:16
Në Superligë të Kosovës nga xhirot e mëparme për shkak të angazhimeve të skuadrave në garat evropiane, dy ndeshje nuk janë zhvilluar.
Dhe këto ndeshje dalin të jenë duelet e katërshes kryesore të Superligës sot, ndërsa pasnesër pritet të përcaktohet kampioni vjeshtor i elitës.
Titulli kampion vjeshtor, përkundër se nuk shpërblen asgjë, as nuk është zyrtar, por përdoret vetëm si emërtim motivues për skuadrën që kryen vjeshtën si lider në Superligë, pritet të ngjallë emocione të mëdha, ndërsa duelet pritet të jenë mjaft interesante pasi që takohen katërshja më e suksesshme e këtij stinori.
Ballkanit i duhet fitore ndaj Gjilanit të shtunën dhe duhet të pres që Drita të barazojë ose të mposhtet nga Prishtina të dielën për tu bërë kampion vjeshtor.
Dritës i duhet që Ballkani të mos e fitojë Gjilanin nesër dhe do të bëhet kampione vjeshtore, pa marrë parasysh rezultatin e saj. E nëse Drita e mposht Prishtinën, dilema s’do të ketë për titullin vjeshtor.
Në anën tjetër, Prishtina e Gjilani në duelet e tyre do të mundohen që të marrin fitore patjetër, ashtu që të ngushtojnë epërsinë e Dritës e Ballkanit si dhe të motivohen për pjesën e dytë të stinorit duke parë uljen e diferencës mes tyre dhe kryesuesve në renditje tabelare.
Të shtunën Ballkani pret Gjilanin, ndërsa të dielën Prishtina pret Dritën.
Në duelet e para të tyre këtë stinor në Superligë, Drita ka barazuar në shtëpi ndaj Prishtinës pa gola, 0-0. Ndërsa i njëjti rezultat është arritur edhe në përballjen e parë mes Gjilanit e Ballkanit këtë edicion, 0-0.
Kësaj radhe shpresohet në gola në ndeshjet super-derbi të Superligës që mbyllin pjesën e parë të stinorit.