ME PLOT RASTE
Golat e shpejtë të pjesës së parë, epilog i takimit
30 March, 2024 @19:17
Derbi tjetër i ditës në Superligë ka kaluar me plot raste dhe shumë mundësi, veçanërisht për Malishevën që do të mund të “vajtojë” rastet e humbura gjatë ndeshjes, pasi që kishte raste konkrete për të fituar ndeshjen dhe për ta mposhtur Dritën.
Por, në fund pas 90’+5 minutave lojë ekipet u ndanë me rezultat Malisheva - Drita 1-1 [Altin Aliu 23’ - Ensar Huruglica 10’]. Fillimisht Besnik Krasniqi i Dritës me një goditje të bukur nga gjuajtja e lirë kërcënoi rrezikshëm (9’), ndërsa menjëherë pas kësaj erdhi goli i epërsisë për Dritën.
Gabimin në pasim të Besnik Feratit, me kombinime të shpejta dhe të bukura Albin Prapashtica dhe Ensar Huruglica e konkretizuan, ku ky i fundit goditi për epërsi.
Malisheva u këndell shpejt ndërsa supergoli i Altin Aliut (23’) barazoi shifrat. Me kaq nuk u mjaftua ekipi i Qëndrim Kidës. Etnik Brruti pati dy raste tepër të mira (30’) dhe (42’) ndërsa fati shpëtoi Dritën.
Albin Prapashtica (47’) dhe Besnik Krasniqi përsëri nga gjuajtja e lirë (60’) kërcënuan për Dritën, ndërsa Altin Aliu (65’) e Drilon Hazrollaj (75’) s’arritën të shënojnë më pas për Malishevën, gjithashtu. Veçanërisht rasti i Aliut, që u mbrojt nga afërsia prej Faton Malokut, i cili shpëtoi ekipin e Zekirija Ramadanit nga disfata.
Për Malishevën, ndeshja e tretë pa humbje dhe barazimi i parë pas dy fitoreve e çon në 48 pikë në pozitë të katërt, ndërsa Drita është në 51 pikë e treta në renditje.