TAHIR BATATINA

Tahir Batatina, trajner i Llapit
Goli i hershëm prishi planet
18 February, 2018 @19:03
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se goli i hershëm i Prishtinës ua prishi planet në një mënyrë ekipit.
Llapi sot ka humbur lidershipin e Superligës pas humbjes nga Prishtina, në përballjen që u zhvillua në Pejë, pasi që stadiumi i Prishtinës është ende në renovim e sipër.
“Jam i kënaqur me lojtarët dhe angazhimin e tyre. Pranuam një gol shumë herët si pasojë e moskoordinimit të mirë të repartit defansiv dhe vendosjes jo të mirë të portierit. Dhe ky pësim i golit aq herët sikur bëri që ndeshjen të nisnim me disavantazh dhe kjo ishte një ngecje dhe në pjesën e parë nuk arritëm të vinim deri te goli dhe ku u vërejt mungesa e tre lojtarëve kryesor si Bërbatovci, Blakqori dhe Zhdrrella që e inkuadrova në pjesën e dytë,” ka thënë ndër të tjera Tahir Batatina për faqen zyrtare të ekipit në cilësi të vendasit sot.
Llapi, që përfundoi stinorin vjeshtor të Superligës si lider, në duelin e parë të pjesës pranverore ka humbur kreun dhe tashmë duhet të ndjek bardhekaltërit nga kryeqytetit.
Llapjanët, edhe në xhiron e radhës i pret derbi, kësaj radhe ndaj Dritës që është e treta në klasifikim.