DITARI NR. 22 @ UEFAEURO2016
Griezmanni i artë
Shkruan: Luan MORINA
10 July, 2016 @11:52
Joachim Low ka mbetur mbrapa në kohë. Ai akoma provon të fitoj diçka duke luajtur pa sulmues klasik – një fakt që është përmendur shpesh nëpër këta ditarë. Është një strategji e para 4-5 viteve e cila për shkak të mbrojtësve më të përqendruar më nuk po kryen punë. Sulmi mobil nuk kryen punë pos nëse të tre janë të një niveli të njëjtë dhe të përshtatur për secilën pozitën.
Paramendo Draxlerin, Ozilin, apo edhe të preferuarin e mbivlerësuar të Low, Joshua Kimmich në qendër të sulmit! Nuk funksionon, ngjashëm sikur të mbash Thomas Mullerin në këtë formë si sulmues të vetëm. Derisa Kimmich duket të jetë një Badstuber 2.0 për Low, edhe pjesa tjetër e ekipit ishte nën nivel duke nisur nga kapiteni i plakur Schweinsteiger.
Në përgjithësi, Gjermania ishte vetëm hija e një kampioni të bote që ngecte në tranzicion kundër Francës.
Krejt diçka tjetër këtë kampionat ka bërë Deschamps. Dhe emri i këtij ndryshimi është Moussa. Me angazhimin e Sissokhos në krah, Deschamps ka mbuluar dy pozita në fushë. E para, Sissokho më shumë luan si mesfushor, krah më hezitues të sulmoj që e bën një opsion shtesë për mesfushën defensive e cila me Pogba e Matuidin mjafton për të ndërprerë aksionet e kundërshtarëve.
Me Sissokhon në fushë, Payet dhe Griezmann kanë më shumë hapësirë dhe më pak presion për tu mbrojtur në kundërsulme. Që të dy janë furnizues të shkëlqyeshëm për Giroud, dhe për dallim nga ky i fundit, shumë më të lëvizshëm.
Griezmann ka marr në dorë punët për Francën dhe pothuajse i vetëm i ka dërguar deri në finale. E tashti është koha për sfidën e fundit, më të rëndësishëm në karrierën jo vetëm të Griezmannit, por të secilit prej atyre 22 vetave që do të zbresin në fushë. Shumica janë të papërvojë për kësisoj ngjarjesh, sidomos tek Franca ku presioni psikik do të jetë më i lartë se tek portugezët.
Griezmanni nuk ka qenë i mirë kundrejt presionit psikik më herët gjatë sezonit të kaluar. Por, për dallim nga portugezët, vendasit kanë edhe Payet, e nëse më në fund shfaq diçka të hajrit – Pogban për të udhëhequr lojën. Ndërkohë tek Portugalia gjithçka nis dhe përfundon me Cristianon për të cilin kjo ndeshje është e vetmja mundësi dhe e fundit për të fituar diçka me kombëtaren.
Portugalisë i mbetet shumë për të bërë me këtë kombëtare që nuk e nivelit të finalistit të Evropianit. E në anën tjetër francezët duket se kanë gjetur liderin e të ardhmes pas Zidane, e Henryt. Për të renditur Griezmannin në këtë mes duhet titulli, duhet medalja e artë sonte.