KISHNICË
Hajvalia, renovon me 12 lojtarë
26 May, 2015 @10:10
Hajvalia ende pa përfunduar stinori aktual ka nisur të organizohet seriozisht për tjetrin.
Ekipi nga Kishnica, ditë më parë ka emëruar Mentor Miftarin si trajner të ri të skuadrës për stinorin tjetër, derisa ka bërë publike edhe vazhdimin e kontratave me 12 futbollistë të saj.
Semir Zeneli, Erdin Hashani, Gzim Gashi, Fillim Guraziu, Fuad Karabegu, Shkëlqim Pacolli, Leart Emini, Liridon Leci, Përparim Islami, Genc Hamiti, Azem Ahmeti dhe Alban Dragusha - janë futbollistët që kanë nënshkruar kontratat për stinorin 2015/16 me skuadrën e tyre të deritashme.
Ky është një raritet në futbollin vendor, pasi që skuadrat zakonisht presin përfundimin e stinorit për të vendosur për stinorin tjetër.
Hajvalia aktualisht drejtohet nga Emin Bajrami, pas largimit të Ismet Munishit nga skuadra.
Ata nesër ndeshen me pretendentin për titull, Ferronikelin, në Prizren.