CHAMPIONS LEAGUE PLAY OFF
Hasi me Olympiacosin fiton në çastet e fundit
16 August, 2017 @22:28
Në takimin e luajtu sonte në Greqi, Olympiacosi i Besnik Hasit e ka mposhtur me shumë vështirësi skuadrën e Rijekës nga Kroacia.
Përkundër dominimit vendas, kroatët kaluan të parët në epërsi dhe rezistuan deri në sekondat e fundit, mirëpo duke e shfrytëzuar edhe faktin që kundërshtari kishte një lojtar më pak në fushë, Olympiacosi e përmbysi rezultatin dhe shënoi fitore 2-1, fitore kjo që i jep një avantazh në ndeshjen e kthimit në Kroaci javën e ardhshme.
Në anën tjetër, ashtu siç edhe u parashikua, Napoli pa shumë probleme e ka mposhtur skuadrën franceze Nice, për t’u afruar kështu shumë me kualifikimin në fazën grupore të Champions Leagues.
Për 1-0 shënoi belgu Mertens, ndërsa fitorja e Napolit u vulos nga goli i Jorginhos nga pika e bardhë. Gjërat edhe më të lehta për italianët u bënë pas përjashtimit të dy lojtarëve nga radhët e Nicet, mirëpo epërsia nuk u thellua përkundër avantazhit numerik të lojtarëve në fushë dhe takimi u mbyll 2-0.
Duhet përmendur fakti që në këtë takim si zakonisht startues për Napolin ishte Elseid Hysaj, i cili luajti përgjatë gjithë ndeshjes.
Ky rezultat e favorizon dukshëm Napolin në ndeshjen e kthimit në Francë, e cila luhet të martën e ardhshme.
Nga ndeshjet tjera të mbrëmjes, Sokol Cikalleshi me Basaksehirin e tij u mposht 1-2 nga Sevilla. Lojtari në fjalë ishte në bankën rezervë dhe nuk u inkuadrua për asnjë minutë.
Të gjitha rezultatet nga ndeshjet e luajtura sonte në Play Off-in e Champions Leagues:
Basaksehir 1-2 Sevilla
Celtic 5-0 Astana
Napoli 2-0 Nice
Olympiacos 2-1 Rijeka
Hapoel Beer Sheva 2-1 Maribor