FERIZAJI MBETET PA TRAJNER
Humbja nga Vjosa, Ismet Munishi jep dorëheqje
21 October, 2023 @11:04
Trajneri prishtinas Ismet Munishi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetrajnerit të Ferizajit, duke bërë të ditur këtë në një njoftim të shkruar në llogari personale të Facebookut.
Humbja e djeshme, me përmbysje nga Vjosa e Leotrim Krasniqit ka lënë Ferizajin e Munishit 7 pikë larg kreut dhe 5 pikë larg pozitës së tretë të renditjes në Ligën e Parë - Grupi B.
Munishi pas ndeshjes nuk kishte komentuar gjatë, duke thënë shkurt se me këta referë dhe kësi fusha - nuk ka çka të shtojë më shumë.
Duke i falenderuar të gjithë të ndërlidhur me FC Ferizajin, ai ka shkruar: “Dje e kuptova se nuk kam më çka të jap te FC Ferizaji, prandaj ofrova dorëheqjen e parevokueshme. Shumë suksese në vazhdim.”
Në anën tjetër, FC Ferizaji nuk ka dhënë ende njoftim për largimin e Munishit nga detyra dhe pritet të shihet se cili do të jetë trajneri i radhës që do të merr detyrën e skuadrës mirë të organizuar për Ligë të Parë.