EDHE NJË NDARJE!
Vëllaznimi ndërpren bashkëpunimin me trajnerin Visoka
10 October, 2023 @16:57
Javë jo e mirë për trajnerët në Ligën e Parë, pasi që tashmë numri i tyre ka shkuar në tre, pas Granit Begollit te Suhareka dhe Sadat Pajazitit te Kika - edhe Vëllaznimi ka zyrtarizuar ndarjen me trajnerin Megzon Visoka.
Përmes një njoftimi publik, KF Vëllaznimi ka bërë të ditur se sot ka ndërprerë bashkëpunimin edhe zyrtarisht me trajnerin Visoka, ndërsa e ka falenderuar për punën e deritashme në klub.
“KF Vëllaznimi ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Megzon Visoka. Klubi falenderon Visokën për punën dhe angazhimin e deritashëm, duke i dëshiruar suksese në të ardhmen. Për ndryshimet tjera në shtabin teknik do të informoheni me kohë në ditët në vazhdim,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i Vëllaznimit sot.
Vëllaznimi që në stinorin e kaluar e kreu i fundit Ligën e Parë - Grupi A, u fuzionua me Drenasin për të mbijetuar aty. Një ri-organizim në klub dha shpresa, por rezultatet në fillim të stinorit nuk ishin të priturat dhe si duket kjo bëri që krerët e klubit të marrin vendimin për ndarje me trajnerin Visoka.
Përndryshe, nga tetë xhirot e para të stinorit 2023/24 në Ligën e Parë - Grupi A, Vëllaznimi ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe katër humbje. Ekipi gjindet në pozitën e shtatë të renditjes tabelare, ndërsa ka 8 pikë me goldallim minus 3. Lideri i grupit Dinamo ka 22 pikë, ndërsa Rilindja 1974 e fundit në renditje, ka 5 pikë.