ANALIZË
Humbja që na çon në Euro2020
Shkruan: LUAN MORINA
6 September, 2017 @15:25
Dëshira e madhe për fitore provonte të arsyetonte humbjen e radhës të Kosovës. Pritjet ishin më të mëdha pas formës së mirë të U21 dhe rezultatit pozitiv ndaj Kroacisë.
Me Kroacinë kemi qenë të mirë në mbrojtje, gjë e cila edhe me Finlandën ka ndodhur pos në rastin e pranimit të golit. Jashanica dhe Rrahmani janë kthyer në një dyshe të shkëlqyeshme, bashkë me Vojvodën në krahun e djathtë. Learti ashiqare duhet të punoj shumë për të qenë startues në këtë ekip ku gjendet edhe Kololli.
Alushi dhe Kryeziu kanë qenë stabil në shumicën e ndeshjeve dhe mbrëmë ndoshta në tentim për të kontribuar në sulm, kanë mundur të jenë më të lëkundur, përfshirë edhe reagimet tek goli. Valoni mbetet i vetmi i cili luan me më së shumti zemër për këtë ekip. Rashica ka qenë shumë më aktiv se në shumicën e ndeshjeve dhe besoj që zëvendësimi i tij nuk ishte i duhuri. Bernardi është kthyer mirë, por nuk ka qenë shumë i shfrytëzuar në atë krah. Ndërrimet me Rashicën i kanë bërë mirë nga pak të dyve.
Nuhiu po bën punën e tij në zotërimin e topave të lartë e të gjatë. Pasimet e gjata janë mënyra më e mirë për një ekip që bazohet në lojën individuale më shumë se në atë kolektive. Është diçka e detyrueshme ndoshta për një ekip që nuk mundet të qëndroj një ditë pa udhëtuar në asnjë stacion prej këtyre kualifikimeve – mungesa e stadiumit (turpi më i madh i shtetit të Kosovës!); si rrjedhojë mungesa e stërvitjeve ekipore.
Halimi nuk m’u duk në pozitën e tij të zakonshme aty në hije të sulmit, Zeneli erdhi vonë, ngjashëm si Muriqi.
Trajneri
Kumtesa e Bunjakit sigurisht që duhet të ketë pas sadopak efekt në paraqitjen e mbrëmshme. Besoj që është e ngutshme, por edhe është vendimi më i mirë për të dhe familjen e tij. Ai do të kthehet në Suedi me gjasë, do të ketë një punë më të rehatshme si me futbollistët ashtu edhe me tifozët. Nuk është lehtë të menaxhosh me qasjen e tij ‘të butë’ një ekip plot egosh. Aq më pak me ekspertë fejsbuku!
Kosova do të ketë problem të gjej një trajner zëvendësues – vetëm Rafet Prekazi dhe çasja e tij e ashpër që mund të rehatoj këtë ekip. Por, dyshoj që do të funksionoj. Strategët e huaj s’do të vazhdojnë bisedën me një kombëtare që nuk ka stadium të vetin, e aq më pak të marrin një punë nga një vend që nuk paguan as kampionen e saj të vetme olimpike e nuk ka fonde për stadium të vetin.
Ismet Munishi? Bylbyl Sokoli? Dikush nga komentuesit në Facebook? Të tre janë e njëjta kategori!!!
Të rinjtë
Nuk bën të lëmë anash përfaqësuesen U21. Gjermania kampione e Evropës nuk ka qenë ajo që ka luajtur të martën kundër neve. Megjithatë është një Gjermani! Paraqitja edhe më e shkëlqyeshme ka qenë ndaj Norvegjisë. Janë djem pa ego, që vrapojnë dhe japin maksimumin për ekipin. Kontributi i tyre duhet të ndiqet edhe nga seniorët, detyrimisht!
Euro2020
Pa u ngazëllyer shumë, ka një shans shumë të mirë për t’u kualifikuar për Euro2020. Apo Euro2024 që e shoh si mundësia më e besueshme nëse nuk ndryshojnë rregullat.
Vitin e ardhshëm nis Liga e Kombeve me katër divizione të ndara sipas cilësive të kombëtareve. Pa befasi, Kosova mbetet në Ligën D, të fundit. Aty janë kombëtare si Andorra, Malta, San Marino, Gjibraltari, Lihtenshtajni, e Moldavia. Janë edhe Lituania, Letonia, Gjeorgjia, Bjellorusia, Armenia, Maqedonia, Kazakistani dhe dy befasitë më të mira që vetëm mund të shënojnë ngritje, Luksemburgu, e mbi të gjitha Ishujt Faroe.
Ekipet ndahen në grupe prej katër sosh dhe zhvillojnë gjashtë ndeshje. Fituesit e grupeve shkojnë në playoff dhe më i miri ngjitet në Ligën C ku do të jetë Shqipëria. Fituesi i playoff shkon në Euro2020, të tjerët mbeten në Ligën D.
Kualifikimi edhe në mesin e këtyre ekipeve mbetet shumë pak i mundshëm. Por, përballja me këto ekipe mund të na lejoj të zhvillojmë një lojë më të hapur, me më pak nënshtrim dhe frikë. Talenti është aty, vetëm duhet të aktivizohet nga të gjithë që marrin pjesë dhe të veprojmë një herë si ekip, grup.
Tifozët
3000 mijë veta nëse nuk gaboj është përmendur numri i shikuesve në ‘Loro Boriçi’. Secili nga ta meriton një respekt që kanë gjetur kohën e gatishmërinë të udhëtojnë jashtë vendit për të ndjekur ndeshjet e Kosovës. Shpresojmë të jenë të fundit, se boll ma!!