KOSOVA-FINLANDA
Kosova mposhtet, Finlanda merr 3 pikët e radhës
5 September, 2017 @22:40
Përfaqësuesja e Finlandës ka shënuar fitoren e dytë me radhë në Grupin I kualifikues për “Rusia 2018”, pasi që pas Islandës, sonte mposhti edhe Kosovën në Shkodër, me rezultat minimal, 0-1.
Kosova dominoi në posedim të topit, por përveç një rasti të Valon Berishës dhe Atdhe Nuhiut, diçka konkrete nuk krijoi për të rrezikuar më shumë ekipin skandinav.
Në anën tjetër, Finlanda shfrytëzoi një moskujdes të mbrojtjes, ku lojtari më i dalluar i tyre në sulm, Teemu Pukki shënoi nga afërsia për 1-0, që doli të jetë përfundimtare edhe pas 6 minutave shtesë të dhëna nga referi kryesor i ndeshjes.
Kosova mbetet e fundit në klasifikim, derisa Finlanda kalon në 7 pikë si e parafundit në grup. Dueli i radhës për Kosovën është përsëri në Shkodër, ndaj Ukrainës, ndërsa Finlanda udhëton drejt Kroacisë. Këto ndeshje zhvillohen më 6 tetor.