PEP GUARDIOLA

I kujdesshëm para Arsenalit
17 February, 2014 @20:30
Trajneri i kampionit aktual europian dhe botëror, Pep Guardiola, është shprehur tejet kujdesshëm për kundërshtarin në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Ekipi i Guardiolës, Bayern Munchen, do të udhëtojë në Londër për tu ndeshur me Arsenalin në kuadër të Ligës së Kampionëve, derisa spanjolli ka vlerësuar kundërshtarin dhe futbollistët e tij.
“Kam tejet respekt për Arsene-in. Ekipi i tij ka cilësi të lartë dhe do të luajmë ndaj një ekipi që gjendet në krye të Premier League dhe është gjithmonë kundërshtar i vështirë në Ligë të Kampionëve,” ka thënë Guardiola dy ditë para takimit.
“Ata qe 10 vjet janë ndër ekipet më të mira të Ligës së Kampionëve, derisa me Cazorla, Ozil, Wilshere, Chamberlain e Ramsey, në ekip, janë një bashkësi që duhet respektuar patjetër. Ata kanë gjithmonë mesfushë të mirë,” ka thënë mes tjerash trajneri i Bayernit.
Arsenal dhe Bayern Munchen takohen të mërkurën në ndeshjen e parë të së tetës së finales në Emirates të Londrës për të kërkuar rrugën për gjysmëfinale të garës më të vlefshme europiane në futboll.
Bayern kishte eliminuar stinorin e kaluar Arsenalin duke e mposhtur në Londër 1-3, derisa pësoi në Munchen 0-2 dhe kaloi përpara në saje të golave më të vlefshëm të shënuar si mysafir.