MOURINHO

REUTERS/Suzanne Plunkett
I lumturi
10 June, 2013 @15:07
Numër rekord i gazetarëve në konferencën e parë zyrtare të një trajneri. Jose Mourinho zyrtarisht për herë të parë foli si trajner i të kaltërve të Londrës.
“Mund të më thirrni, ‘I lumturi’, tash e tutje,” kështu po ndihem, ishte përgjigjja e tij, pasi që një gazetar e pyeti se a është ende ‘I veçanti’.
“Jam i lumtur sepse në moshën 50 vjeçare, po kthehem përsëri këtu. Sot (10 qershori) është dita e Portugalisë dhe ne portugezët jemi aventurierë,” ka thënë ai ndër të tjera. “Jam këtu për të krijuar një Chelsea stabil.”
Ndërsa kur i erdhi pyetja se mos ndoshta dëshiron të bëhet një Sir Alex Ferguson i Chelseat ai u përgjigj:
“Tash mund të bëhem. Herën e parë kur isha këtu kam qenë tepër i ri dhe nuk ndihesha si tash. Por tani, po, do të mund të bëhem një i tillë,” ka shtuar portugezi.
“Kësaj radhe fotografia është ndryshe, përveç Manchester United dhe Arsenal, kemi Manchester Cityn, Arsenalin, Liverpoolin dhe Tottenhamin që do të konkurrojnë për TOP 4, pastaj do të fillojnë konkurrimin për TOP 3, sepse kjo është edhe më mirë - e tek pas saj do të luftohet për të fituar titullin,” ka krahasuar Mourinho, Premier League-në e tashme me atë kur ka qenë si dhe ka treguar prioritetet e tij për këtë stinor.
Ai pas pyetjes së një gazetareje për deklaratën e Iniestës në lidhje me dëmin që i ka sjellë futbollit spanjoll është përgjigjur…
“Po. E kam dëmtuar futbollin spanjoll, duke e përfunduar dominimin e Barcelonës. Para kësaj ka qenë Barcelona dhe Barcelona, ndërsa prej ardhjes sime, kishte edhe Real Madrid,” ka thënë Mou.
Konferenca e Jose Mourinhos është ndjekur nga afro 400 gazetarë, ndërsa ai zyrtarisht do të fillojë punën me Chelsean më 1 korrik.