SUPERKUPA ITALIANE
Interi “shkel” Lazion dhe siguron finalen
19 January, 2024 @22:31
Interi është finalisti i dytë i Superkupës së Italisë, pasi që sonte pa shumë telashe mposhti Lazion në gjysmëfinalen e dytë të luajtur të turneut, që po luhet në Arabinë Saudite.
Inter do të luajë në finale të Superkupës të hënën mbrëma (20:00) ndaj Napolit të Amir Rrahmanit, që mbrëmë mposhti Fiorentinën në gjysmëfinale.
Kanë qenë Marcus Thuram (17’), Hakan Çalhanoglu (50’pen.) dhe Davide Fratesi (87’) që shënuan për t’ia siguruar finalen neroazzurrëve të Simone Inzaghit. Pos tre golave, në fitoren 3-0 interistët qëlluan dy herë edhe shtyllën për të përshkruar dominimin e plotë në duel.
Trajneri Inzaghi po kërkon historinë për të fituar Superkupën e tretë me radhë, ndërsa Lazioja vuajti përgjatë gjithë 90 minutave sonte. Interi u duk tepër mirë, me pasime, me raste dhe përfundime agresive.
Të hënën në mbrëmje, sikurse e do tradita kampioni i Italisë dhe fituesi i Kupës do të luftojnë për trofeun e Superkupës italiane.
Mesfushori i Shqipërisë Kristjan Asllani zëvendësoi Çalhanoglun nga minuta e 81. e ndeshjes për të luajtur minutat e mbetura.