1/8
Italia në çerekfinale, eliminohet kampionja
27 June, 2016 @19:29
Finalja para finales i ka takuar Italisë.
Ekipi i Antonio Contes i është revanshuar Spanjës për humbjen në finalen e Europianit 2012, duke e mposhtur ate me rezultat 2-0.
Baraspesha në rezultat u prish në minutën 33’ me golin e Giorgio Chiellinit, i cili u gjend më së miri pas gjuajtjes së fortë nga goditja e lirë e Ederit, të cilin e ndali me mund të madh portieri David De Gea.
Epërsia u rrit në 2-0 në minutën e 90, me golin volej të sulmuesit Pelle, me ç‘rast iu dha fund dilemës së fituesit për këtë ndeshje.
Në fakt, ndeshja mund të kishte më shumë gola nga të dyja palët, po të mos ishin në portë Gigi Buffon dhe David De Gea, sidomos ky i fundit që bëri disa pritje shumë të rëndësishme.
Me këtë, kampionja aktuale e Europës, Spanja, i ka dhënë fund këtij Europiani, ndërsa Italia tani në çerekfinale do të ketë përsëri punë të vështirë, pasi që do të përballet me Gjermaninë.