TRAJNER I RI
Jaap Stam në Cincinnati
22 May, 2020 @0:05
Ish qendërmbrojtësi i shumë skuadrave të njohura evropiane dhe trajner i disa ekipeve, Jaap Stam, është emëruar zyrtarisht sot si trajner i ri i ekipit të Major League Soccer (MLS) në SHBA, Cincinnati.
Cincinnati që garon në Konferencën Lindore dhe vjen nga shteti i Ohios, ka nisur këtë stinor me dy humbje, para pezullimit të garave për shkak të pandemisë.
Stam është vlerësuar lart nga menaxheri gjeneral i ekipit Gerard Nijkamp, që ka thënë se përvoja e tij pritet të ndikojë pozitivisht në ekip por edhe aftësia e tij për të marrë drejtimin e ekipeve në tranzicion.
Stam tash 47 vjeç gjatë karrierës së tij si lojtar pas bërjes emër në PSV, ka luajtur për Manchester Unitedin, Lazion, Milanin dhe Ajaxin. Ndërsa për Holandën ka 67 paraqitje.
Si trajner qendëmbrojtësi i fuqishëm dikur, ka nisur karrierën me Zwollen në vendin e tij. Pas kësaj drejtoi të rinjtë e Ajaxit para se të bëj dy vite të rëndësishme te Readingu anglez.
U rikthye në Zwolle për të drejtuar në vitin e kaluar Feyenoordin, para se sot të zyrtarizohet si trajner i ri i elitës së futbollit amerikan.