GOLEADORI I PRISHTINËS!
Jalen Blesa nga Prishtina kalon te Universitatea Craiova
14 February, 2024 @3:29
Në gjysmëstinorin e parë të stinorit 2022/23 te Rahoveci në Ligë të Parë, Jalen Blesa, kishte shënuar 10 gola në 12 ndeshje të luajtura. Gjysmëstinorin e dytë nuk e priti te “vreshtarët”. Prishtina kishte reaguar menjëherë edhe sulmuesin spanjoll me pasaportë angleze e kishte shtuar në radhët e veta. Të rralla janë rastet kur një sulmues i ndonjë ekipi të Ligës së Parë brenda gjysmëstinorit kalon në Superligë! Por, cilësitë e tij ai i vërtetoi shpejt dhe u bë prej sulmuesve më të mirë në Superligë.
Te Prishtina në total, Jalen Blesa ka luajtur 40 ndeshje ka shënuar 13 gola ndërsa ka bërë 6 asistime. Veçanërisht këtë stinor Blesa tregoi veten, ndërsa me golat e tij dhe lojën e treguar, shpesh është treguar vendimtar në rezultatin e arritur prej Prishtinës.
Prishtina e përshëndeti me dy postime në rrjetet sociale të klubit. Te njëra në anglisht “Falemnderit Blesa! Paç fat te ekipi i ri” ndërsa më pas me një postim tjetër në shqip “Mirë u pafshim, mjeshtër!”.
TOP-GOLASHËNUESIT E SUPERLIGËS 23-24
“Univeristatea Craiova përforcohet në sulm me futbollistin e Prishtinës, Jalen Blesa. 23 vjeçari do jetë futbollist i “shkencëtarëve” deri më qershor të vitit 2027. Sulmuesi ynë i ri ka shënuar 11 herë në 21 ndeshje këtë stinor në Kosovë dhe ka regjistruar 4 asistime. Mirë se vjen në familjen e “shkencëtarëve”,” ka shkruar njoftimi i U. Craiovës për lojtarin.
Kalimi i Blesës për te Univeristatea Craiova është thënë t’i ketë kushtuar rumunëve 165 mijë euro, që do t’i pagohen në dy këste Prishtinës. Prej largimit të tij një shumë të të hollave do ta përfitojë edhe Rahoveci, si klub prej ku Blesa kaloi te Prishtina.
TOP ASISTUESIT E SUPERLIGËS 23-24
Prishtina gjithashtu nga ky kalim, ka ruajtur të drejtën për të pasur 20% të përfitimit nga shitja e ardhshme e futbollistit. Përndryshe, elita e futbollit rumun po peshkon pa ndalur në Superligë të Kosovës, ku pas futbollistëve të Ballkanit (Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani), tashmë ata po shikojnë edhe klubet tjera, siç doli rasti konkret me Blesën. Këtë afat kalimtar, edhe dyshja e Dritës (Muharrem Jashari, Hajdin Salihu) iku drejt futbollit ukrainas.