DRITA - LLAPI
Vendos goli i Arbnor Ramadanit, Llapi mposhtë Dritën në Gjilan
10 February, 2024 @15:00
Me fitore ka nisur pranvera për Llapin!
Skuadra e Tahir Batatinës sot shënoi një fitore të madhe ndaj Dritës në Gjilan. Takimi në fjalë u mbyll 0-1 (Arbnor Ramadani 4’) për podujevasit.
Me një formacion pak më ndryshe, i ndikuar edhe nga lëndimi i Valmir Veliut, Llapi i udhëhequr nga dyshja sulmuese Januzi - Hyseni, i shkaktoi mjaft probleme Dritës në pjesën e parë, e më pas pjesa e dytë kaloi me Llapin e fokusuar që ta mbrojë epërsinë.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 4’, kur topin e ardhur zhagazi prej Diar Vokrrit të krahut të djathtë, në portë e çoi qetësisht Arbnor Ramadani.
Pas golit të shënuar, Llapi pati edhe dy mundësi të mira gjatë 30 minutave të parë përmes Muhamet Hysenit e Ahmed Januzit, por asnjëri prej tyre nuk arriti dot ta gjejë golin e dytë për skuadrën.
Megjithatë, Llapi u mbajt mirë dhe nuk pësoi në cepin tjetër, për ta mbyllur ndeshjen me fitore, e cila i mban podujevasit 3 pikë mbi Dritën në renditje dhe 3 pikë larg Ballkanit lider.
Vlen të përmendet që për shkak të lëndimit nga loja u detyrua të largohet Florjan Smakiqi, portieri i Dritës, i cili në minutën e 28’ ia la vendin Laurit Behlulit, portierit të dytë gjilanas.
Në sy te Drita sot padyshim që ra mungesa e Muharrem Jasharit, pasi ky i fundit u largua gjatë janarit te skuadra ukrainase e Cherkasy.
Xhiron që vjen, Drita i shkon Lirisë në Prizren, kurse Llapi e pret Dukagjinin në Podujevë.