STAR OF THE GAMEWEEK XIX
Diar Vokrri (Llapi) - Ylli i javës (19)
12 February, 2024 @11:54
Futbollisti i Llapit, Diar Vokrri, është përzgjedhur Yll i javës së 19. të Superligës së Kosovës në futboll nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), pasi që Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje prej Sunaj Keqit, Berat Berishës dhe Xhevat Mehmetit vendosën që 19 vjeçari nga Sfeqla e Podujevës ka merituar këtë çmim për këtë xhiro.
“Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 19-të, të parën në stinorin pranveror, në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të @k.f.llapi , @diarvokrri6
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Sunaj Keqi, Berat Berisha dhe Xhavit Mehmeti.
Ky komision vendosi për mbrojtësin llapjan, pasi ai gjatë gjithë ndeshjes Drita-Llapi pati paraqitje të shkëlqyeshme në fazën defanzive, derisa ishte edhe asistent në golin e fitores.” — shkroi njoftimi i FFK-së sot.
Ndërkaq Vokrri i ri tha se një gjë e tillë të jep ndjenjë të mirë si dhe motiv shtesë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen.
”Është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam shumë i lumtur për çmimin ‘Ylli i Javës’ . Është hera e parë që e fitoj këtë çmim dhe kjo më jep motiv shtesë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen. Fitorja kundër Dritës na shtyn para drejt synimeve tona në këtë edicion, pasi e dimë që Llapi këtë edicion është pretendent për titull dhe shpresojmë që në fund ta festojmë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe klubin, ngase pa mbështetjen e tyre nuk do të isha sot këtu”, ka theksuar Diar Vokrri për faqen zyrtare të FFK-së.
Kjo është hera e parë që Diar Vokrri merr këtë çmim nga FFK-ja. Ndërkaq është futbollisti i pestë i Llapit që këtë stinor po e merr këtë çmim, pas Ilir Blakçorit, Ergyn Ahmetit, Muhamet Hysenit (3 herë) dhe Ilir Avdylit.