5 PËR VIKEND
Duelet e fundjavës nga ligat europiane
Shkruan: Luan MORINA
16 September, 2016 @15:04
1. Chelsea - Liverpool (e premte, ora 9)
Conte është trajner që nuk bën rotacione të panevojshme. Nuk ndërron diçka nëse funksionon. Ka gjetur një ekip që po gjen mënyrën për të fituar pikët. Gjithashtu forma e mirë e Hazardit dhe Costas është faktor tjetër. Pra, nuk ka nevojë për shumë ndryshime, dhe mospjesëmarrja në Ligën e Kampionëve do të ia jep këtë mundësi këtë sezon.
Gjithashtu, Conte kur nevojitet luan lojë defensive dhe të mbyllur, diçka e zakonshme për Chelsean, por kokëçarëse për Kloppin. Pos dështimit të tij të gjej rrugën ndaj një ekipi që mbrohet, Klopp edhe nuk ka armët e nevojshme për të bërë këtë. Mund të ketë treshen ofensive të përshtatshme, por e tërë mesfusha është e destinuar për mbrojtje dhe e paaftë për të thyer një ekip të Contes.
Megjithatë, shpresoj që Klopp të gjej diçka që do të hapte lojën, dhe si rrjedhojë të kemi një përballje të hapur, me shanse dhe gola. Jo që Chelsea s’mund të bëj lojë ofensive, por Conte mund të zgjedh mbrojtjen duke pasur parasysh kundërshtarin.
2. Feyenoord – PSV (e diel, ora 2e30)
Fitorja e Feyenoordit ndaj Manchesterit nuk ishte befasi. Nëse keni sadopak njohuri për holandezët, e dini se nga viti i kaluar kanë nisur një ngritje pas periudhave të gjata rindërtimi. Të udhëhequr nga Van Bronckhorst, ekipi ka një përzierje të talentit dhe përvojës në secilin repart. Talentet e tyre nuk janë akoma gati për të shkelur në nivele më të larta, derisa ata me përvojë janë të përkryer për ligën holandeze e cila është e shterur deri në një masë falë shitjeve të Ajax e PSV.
Edhe PSV është e të njëjtit nivel – kanë trajner të mirë në Cocun dhe kanë talente më shumë se sa emra me përvojë. E talentët e tyre janë më të pjekur se Feyenoordi. Janë ekip më i stabilizuar, dhe kur kësaj i shtojmë nuancën e historisë së këtij derbi, mund të presim një ndeshje të bukur për sy, me emra që pritet të ringjallin kombëtaren holandeze.
3. Hertha – Schalke (e diel, ora 5e30)
Përkundër eliminimit të hershëm nga Europa League, Hertha duket se nuk është më keq se vitin e kaluar. Nuk kanë pasur një eksod largimesh, dhe akoma kanë një ekip mirë të përpunuar. Megjithatë duket të pranojmë që nuk do të mbesin aty ku janë në fund të sezonit.
Në anën tjetër Schalke ka mbledhur emra të mirë këtë verë. Javën e kaluar kundër Bayernit patën një lojë të bukur, por janë disa figura në fushë që nuk lënë një rrjedhje të shpejtë të lojës (lexo Huntelaar). Me kalimin e javëve, mendoj që do të arrijnë të gjejnë një 11she mirë të kompozuar, pasi talenti nuk mungon. Për momentin janë ekipe deri diku të baraspeshuara, prandaj do të duhej të ishte një lojë interesante në meny të dielën.
4. Inter – Juventus (e diel, ora 6)
Kohë, shumë kohë do t’i duhet Interit. Javën e kaluar ishin me fat ndaj Pescaras e cila nuk po arrin të mbaj rezultatin duke lëshuar fitoret nga duart e tyre. Interi s’do të duhej të lejonte rënien në atë pozitë kundër Pescaras apo edhe Hapoel Be’er Shevas. Trajner i ri, lojtarë të rinj, nevojitet kohë. Dhe do të marrin kohë gjërat. Do të jetë periudhë irrituese, ama besoj që përfundimi do të jetë më i mirë se sa me Mancinin.
Ndërkohë Juventusi, në fakt Allegri është frikacak kur vjen puna tek Championsi. Pa nevojë luajnë lojë defensive dhe provojnë kundërsulmet. Kjo nuk ndodh në Itali, ku janë bindshëm më të mirë se të 19 ekipet. Por, nuk besoj që kjo kënaq juventinët. Kundër Sassuolos me kalimin e kohës sikur lëshuan këmbën nga gazi. Kundër Interit do të duhej të ishin të përqendruar deri në fund. Edhe pse dorën në zemër, Sassuolo tregoi lojë më të mirë se të dyjat në Evropë këtë javë.
5. Fiorentina – Roma (e diel, ora 15n9)
Sa dobët e ndërtuar është Roma? Aq dobët sa nevojitet Totti të hyjë e të shpëtoj pikët! Totti ka bërë shumëçka, në fakt lehtë mund ta identifikojmë Tottin me krejt ekipin e Romës ne gjeneratat e dy-tri dekadave të fundit. Por, nuk ka ekip që mund të fitoj titullin apo të jetë pretendent në Evropë me një sulmues gati 40 vjeçar.
Më e dobët se ta është Fiorentina. Ekipit nga Firenca nuk i mungojnë talentet, por emrat që kanë ardhur nuk janë të denjë për të konkurruar tri pozitat e para. Mund ta mposhtin Romën në ditën e tyre më të mirë. Kjo mund të ndodh të dielën.