NGA LIBRI
Iniesta kujton ‘trishtimin’ e La Massias
El Mundo Deportivo / "La jugada de mi vida" (Editorial Malpaso)
16 September, 2016 @13:29
Sot janë bërë 2 dekada prej se një i ri 12 vjeçar atëherë, Andres Iniesta, pranoi të shkonte në ‘laboratorin’ e Barcelonës, La Massia.
Duhej të vendoste vetë, pasi që ekipi i fëmijëve të Barcelonës e kishte ftuar aty, ndërsa prindërit e kishin lënë të vendos ai (përkundër moshës) nëse dëshiron të provoj të bëhet futbollist.
“Sot më duket absurde, por është e vërtetë. Ditën më të keqe të jetës sime e kam kaluar në La Massia. Kam qarë tërë natën e parë kur u rekrutova aty,” kujton Iniesta ditën e parë të tij te Barcelona, derisa prindërit dhe gjyshi, kishin ardhur në hotel vetëm 300 metra larg kampit.
Sidoqoftë, kjo natë e ‘tmerrshme’ e Iniestas zgjati deri në mëngjesin e nesërm, kur bëri kontaktin e parë me top aty. Prej atëherë e tutje, Iniesta nuk qau më. U falenderua për ftesën dhe vendimin.
Kjo thënie e Iniestas është shkruar në librin e tij autobiografik që po punohet me gazetarët Ramon Besa dhe Marcos Lopez, ka bërë të ditur El Mundo Deportivo sot, në 20 vjetorin e futjes së Iniestës në La Massia.
Iniesta, sot 32 vjeç, është legjendë aktive e Barcelonës, ndërsa tifozët anë-e-mbanë Spanjës ende e duartrokasin dhe çohen në këmbë për të, pasi që me golin e tij Spanja për herë të parë triumfoi në Kampionat Botëror “Afrika Jugore 2010”.