NË DRENAS
Tovërlani rinovon deri në qershor 2018
16 September, 2016 @12:47
Kryetrajneri i Ferronikelit, Afrim Tovërlani, do të jetë trajneri më i sigurt sa i përket kontratës në futbollin kosovar.
Ai ka nënshkruar sot vazhdimin e kontratës me ekipin kampion të Kosovës deri në qershor të vitit 2018, që i bie se do të drejtojë skuadrën deri në fund të stinorit të ardhshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Ferronikelit sot, ndërsa kryetari i klubit, Ekrem Elshani, ka bërë të ditur se ekipi është i kënaqur me punën e kryetrajnerit deri më tani, ndërsa ka premtuar se edhe disa lojtarë do të kenë në dorë kontratat më afatgjate sesa deri tash, siç është zakon në futbollin kosovar.
Ferronikeli është këndellur pas dy humbjeve të para të regjistruara në fillim të stinorit, duke shënuar dy fitore në dy përballjet e fundit të Superligës.
Ekipi gjithashtu ka humbur Superkupën e Kosovës nga Prishtina, ndërsa këtë stinor shpreson të sigurojë një vend që i jep mundësi për pjesëmarrje në gara europiane.
Këtë fundjavë, Ferronikeli është mysafir i Drenicës në Skenderaj, në derbin regjional të asaj ane të Kosovës. Futbollistët e Ferronikelit përkundër humbjeve në fillim të stinorit nuk kanë kaluar asnjë ndeshje pa shënuar së paku njëherë në porta kundërshtare, ndërsa në të gjitha kanë treguar lojëra të kënaqshme.