DRITA - FERONIKELI
Kampioni ndalet nga Nikli, mbetet -2 nga Ballkani
24 November, 2020 @15:04
Me barazim është mbyllur dueli mes dy kampionëve të fundit të futbollit kosovar, Dritës dhe Feronikelit.
Sot në Gjilan, këto dy skuadra barazuan 1-1 (Almir Ajzeraj 75’ / Mendurim Hoti 40’).
Goli i vetëm në pjesë të parë u shënua nga Mendurim Hoti i mysafirëve në minutën e 40’. Pas topit të rikthyer nga shtylla, Hoti arriti ta mposhtë Rexhepin e Dritës, i cili sot luajti në vend të Faton Malokut të lënduar.
Në pjesën e dytë, kampioni në fuqi i Kosovës shtoi trysninë ndaj portës mysafire dhe nuk u dorëzua derisa e gjeti golin, ndonëse deri sa shënuan, shpërdoruan mjaft raste.
Barazimi erdhi në minutën e 75’ nga Almir Ajzeraj, që shënoi nga afërsia.
Pas golit të shënuar, Drita vazhdoi me sulme në kërkim të përmbysjes së plotë, mirëpo Nikli u mbajt mirë dhe arriti të largohet me pikë nga Anamorava.
Nga minuta e 80’, mysafirët nga Drenasi ishin me një lojtar më pak në terren, pasi që Argjend Malaj u përjashtua me karton të kuq, por superioritetin numerik Drita nuk arriti ta shfrytëzojë maksimalisht dhe u detyrua të pajtohet me një pikë nga takimi i sotëm.
Me ndeshje të barabarta, Drita tashmë ka 2 pikë më pak se lideri Ballkani, kurse Feronikeli nuk duket se do të luftojë për titull sivjet.