SAMIR UJKANI
Kemi humbur pa meritë, koha për tu rikthyer
9 November, 2021 @22:29
Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjeve të nëntorit ka thënë se ekipi po përgatitet ashtu që të ngris mentalitetin, atmosferën dhe të përgatitet sa më mirë për edicionin e radhës të Ligës së Kombeve.
Samiri ka qenë në konferencën e sotme për shtyp të kombëtares së Kosovës para ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë që luhet nesër, ndërsa ekspedita kosovare do të udhëtojë në Greqi për përballjen e fundit kualifikuese drejt Katarit 2022.
TABELA AKTUALE, REZULTATET DHE ORARI
“Kemi dy ndeshje që janë shumë të rëndësishme. Sidomos, ndeshja me Greqinë është e rëndësishme për ne, që të marrim një rezultat pozitiv. E ky rezultat pozitiv, do të na ndihmonte ta kthejmë mentalitetin tonë fitues dhe pastaj të përgatitemi për vitin tjetër. Qëllimi ynë është të përgatitemi sa më mirë për Ligën e Kombeve. Lojtarët që vijnë duhet të japin gjithmonë maksimumin, për të marrë rezultate. Duhet të kthehet atmosfera pozitive që vjen nga rezultatet e mira, fitoret apo barazimet. Kohët e fundit kemi humbur ndeshjet, ndoshta edhe pa meritë. Duhet të punojmë sa më shumë dhe të përgatitemi sa më mirë kur të vijnë ndeshjet e Ligës së Kombeve”, ka thënë Ujkani.
Kosova pret Jordaninë në Fadil Vokrri të mërkurën me fillim prej orës 18:00, para se të luajë ndaj Greqisë më 14 nëntor, ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues drejt Botërorit.