ANALIZË

Foto: dynamokiev.ua
Koha për perandorin
Shkruan: LUAN MORINA
7 October, 2017 @10:05
Edhe një ndeshje e Kosovës, edhe njëherë mot me shi, edhe një humbje!
Asgjë e re për dikë që sheh vetëm rezultatin në fund, por për ata që kanë përcjell me objektivizëm këtë rrugëtim prej nëntë ndeshjeve mund të shohin qartazi se sa është pjekur kjo kombëtare futbolli.
Nga ndeshja e parë kur kishim një mbrojtje të hutuar me krahë promaje e që shpëtonin vetëm falë paaftësisë së kundërshtarit për të shënuar deri tek një mbrojtje stabile, mirë e formuar, por e paaftë akoma për të qëndruar e psiqikisht për 90 minuta.
Mungesa e Kolollit është ditur që do të jetë goxha hendikep, e kësaj në pjesën e dytë iu shtua edhe lëndimi i Kryeziut. Treshja tjetër e mbrojtjes mendoj që është e stabilizuar dhe me shtimin e Kolollit kemi një vijë defensive me të cilën duhet të punohet për vitet e ardhshme.
Ndryshimet në mesfushë po janë interesante dhe po funksionojmë. Musolli qe i shkëlqyeshëm, e më mirë se ai ishte vetëm Celina. Bersanti i cili po shkëlqen tek Ipswich Town këtë fillim sezoni është shembull se si një lojtar duhet të angazhohet për përfaqësuesen e shtetit.
Për Milotin s’do të shkruaj! Megjithatë mendoj që nuk jemi ekip i përshtatshëm me vetëm një qendërsulmues. Nuk po bëjmë lojë që do të dërgonte mesfushorët qendror para për të shtuar presionin mbi mbrojtjen që do të lironte sadopak 9-shin.
Mungesa e Valonit ka qenë e dukshme. Padyshim që do të duhej të ishte kapiteni i ekipit.
Së fundmi jemi përmirësuar, edhe vet Ujkani është më i sigurt në portë. Dy humbje të vonshme që vijnë më shumë si pasojë e gabimeve tona ndaj përfaqësueseve si Kroacia e Ukraina nuk janë për tu hedhur poshtë. Ka zhvillim, por akoma mungon kohezioni si ekip. Ka pasur përparime ama ka nevojë edhe për më shumë.
E kohë s’do të ketë për Bunjakin më. Por, ja një ide që do të funksiononte për mrekulli për pasardhësin e tij.
PERANDORI
Është e qartë që ekipi ynë ka talent individual, porse nuk po arrin të përshtatet si ekip. Gjithashtu nevojitet një ashpërsi psikike dhe një trajner me stil më klasik të qëndrimit. Emër më të mirë se Fatih Terim s’do të mund të gjenim.
Mentaliteti i ngjashëm ballkanik i jep një pasqyrë të qartë ‘imperatorit’ për qasje ndaj ekipit. I vetëm ka udhëhequr tri gjenerata të ndryshme të Turqisë, secila duke bërë histori për vete. Largimi i tij ka qenë i ngutshëm dhe më së miri po vërehet ndikimi që ka në një ekip kombëtar me shumë lojtarë kryeneç.
Mbi të gjitha është dikush që nuk frikësohet të fus një lojtar të ri e të papërvojë në ekipin e parë para senatorëve.
Është i lirë, dhe nuk është në kërkim të parave sa është në kërkim të sfidave, e sfidë më të hijshme se Kosova s’do të kishte për asnjë trajner për momentin.
Por, më e keqja për FFK-në dhe gjithë të tjerët është se nuk dëgjon urdhra që do t’i përziheshin në punën e tij, ashtu siç është adet tek shqiptarët. Për më tepër do të mund të ishte mentor i mirë për shtabin tjetër teknik.