KUQEZI
Kopenhaga flet shqip
Speciale nga Kopenhaga
4 September, 2015 @10:00
Ecja nëpër rrugët dhe lagjet e ndryshme të Kopenhagës, nuk ka qenë fare e huaj për shqiptarët anembanë botës, që kanë ardhur në mënyra të ndryshme për ndeshjen Danimarkë-Shqipëri.
Prej aeroportit Kastrup, deri në shëtitoret e lokalet e ndryshme, një pije e shtrenjtë daneze në bisedë me mikun, ju ka kaluar me një “tung”, “po fitojmë”, por edhe me biseda më të gjata, nga njerëz që kanë kaluar atypari.
Kudo që të rrini mund të dëgjoni shqipen, derisa të gjithë thuajse janë të bindur në së paku pikën për ndeshjen e sontme.
I ardhur nga Italia, Berati, një tifoz i flakët i kuqezinjëve ka treguar se ka rregulluar gjithçka muaj më parë për të qenë i pranishëm në fitoren e madhe të Shqipërisë.
“Leje nga puna, kursimet, rruga e gjatë... të gjitha peripecitë do t’i harrojmë sonte. Fitorja është e sigurtë. Më të mirë nuk kemi qenë asnjëherë, e ata kanë mungesa,” ka thënë ai plotë entuziazëm para ndeshjes.
Sot, pritet që Parken të jehojë shqip pasi edhe TKZ bashkë me njerëz tjerë që kanë marrë bileta në mënyrë të ndryshme pritet të pushtojnë plotësisht qytetin.
Shqipëria me rezultat pozitiv sonte do t’i afrohet edhe më Europianit, që do të ishte histori në vete për futbollin shqiptar.
Janë paralajmëruar afro 10 mijë shqiptarë të pranishëm në Parken.