KOSOVA - ISHUJT FAROE
Kosova fiton, bëhet lidere e grupit
10 September, 2018 @22:17
Me dy golat e shpejt të shënuara në fillim të pjesës së dytë nga Arbër Zeneli dhe Atdhe Nuhiu, Kosova ka siguruar fitoren e parë në një ndeshje garuese të UEFA-së.
Pas një pjese të parë shterpe dhe jobindëse nga të dyja skuadrat, fillimi i pjesës së dytë nisi shumë mirë për Kosovën, që me asistimin e Hekuran Kryeziut (50’) shënoi bukur Zeneli për 1-0, ndërsa pesë minuta më vonë, Nuhiu futi në rrjetë topin që Amir Rrahmani për pak nuk e gjeti rrjetën, për 2-0.
TABELA AKTUALE, ORARI dhe GRUPET
Më pas, Ishujt Faroe “dolën” krejtësisht nga loja dhe Kosova dominoi si me posedim ashtu edhe me lojë, por akcionet nuk gjetën golin edhe pse kishte disa raste konkrete për të shënuar.
Me këtë fitore, Kosova ka tubuar tash 4 pikë në Ligën D3 të Kombeve dhe ka arritur lidershipin e grupit. Kjo ka qenë fitorja e parë e Kosovës në një ndeshje zyrtare të UEFA-së, ndërsa me Bernard Challandesin në krye, të kaltërit dardanë besoni apo jo, ende nuk kanë pranuar gol!
Ndeshja e radhës, më 11 tetor presim Maltën në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.