BERNARD CHALLANDES
“Kosova ka një të ardhme jashtëzakonisht të mirë”
3 September, 2018 @17:33
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur sot konferencë për media, para dy ndeshjeve të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve ndaj Azerbejxhanit dhe Ishujve Faroe.
Përzgjedhësi Challandes fillimisht foli për gjendjen aktuale të skuadrës, duke pranuar se ka vështirësi në repartin e mbrojtjes.
“Kemi vështirësi në repartin e mbrojtjes, por do të shikojmë bashkë me shtabin që në stërvitje të shohim futbollistët më të mirë. Unë po punoj që të kemi një ekip të mirë jo vetëm për këto lojë por edhe për të ardhmen. Kosova ka një ekip që mund të themi foshnje 2 vjeçare, por që shpresoj se do të rritet dhe ka një të ardhme jashtëzakonisht të mirë. Unë nuk preferoj që të fiksoj rezultate, sepse nganjëherë fitoret sikur që patëm kundër Shqipërisë mund të jenë të rrezikshme dhe mund të vetëkënaqemi e kjo nuk guxon të na ndodhë. Ne patëm disa ndeshje miqësore me rezultat të mirë por kjo nuk guxon të na mashtrojë,” tha Challandes.
Ndërsa në lidhje me kundërshtarin e 7 shtatorit, Azerbajxhanin, trajneri 67 vjeçar e lavdëroi duke e cilësuar si një skuadër e fortë dhe agresive.
“Sa i përket kundërshtarit Azerbejxhanit unë mendoj se është një skuadër e fortë me agresivitet dhe është e ranguar më së larti në këtë grup. Prandaj duhet të kemi kujdes. Nuk ka favorit absolut prandaj do të bëjmë më të mirën e mundshme,” tha ai.
Kosova do të jetë mysafire e Azerbejxhanit më 7 shtator, derisa tri ditë më pas do ta pret në stadiumin “Fadil Vokrri” përfaqësuesen e Ishujve Faroe.