TRAJNERI I DYTË QË LARGOHET NGA SUPERLIGA
Feronikeli shkarkon trajnerin Starova
3 September, 2018 @16:03
Ish kampioni i Kosovës, Feronikeli, edhe zyrtarisht ka bërë të ditur se ka shkarkuar trajnerin shqiptar, Sulejman Starova sot.
Starova, që morri drejtimin e skuadrës kah fundi i edicionit të kaluar të Superligës, përkundër se ka shënuar fitore në këtë xhiro, nuk ka mbijetuar në bankën e ekipit.
Feronikeli nisi stinorin 2018/19 me dy barazime, ndërsa në xhiron e fundit mposhti Ballkanin në minutën e fundit të ndeshjes, 1-0.
Për ironi, edhe Ballkani u nda me trajnerin Bekim Shotani pas kësaj ndeshjeje - që doli të jetë fatale për trajnerët, përkundër se njëri fitoi e tjetri humbi në këtë takim!
“Arsyeja e largimit të tij - rezultatet e dobëta të treguara përgjatë kohës sa ishte duke udhëhequr klubin. Në interes të klubit është që të luftojmë për titull dhe të jemi konkurrent me të gjitha skuadrat e Superligës, andaj duhet eliminuar çdo dyshim që mund të na vështirësojë luftën për titull,” ka shkruar njoftimi në faqen zyrtare të klubit.
Në ndërkohë, Feronikeli ka falenderuar Starovën për kontributin e tij.