AZERBAJXHANI - KOSOVA
Kosova kthehet me pikë nga Baku
7 September, 2018 @19:55
Kthehemi nga Baku me pikë!
Në ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve, Kosova ka barazuar 0-0 ndaj Azerbajxhanit në Baku, për ta filluar me një pikë këtë garë.
Pjesa e parë ishte e qetë, me të dyja skuadrat që tregoheshin të kujdesshme dhe mbroheshin mirë. Rasti më i mirë në këtë pjesë u paraqit për Vedat Muriqin, i cili provoi të shënonte me kokë, mirëpo goditja e tij përfundoi lart mbi portë. Sa i përket paraqitjeve, paraqitje fantastike në këtë pjesë për Kosovën zhvilloi Hekuran Kryeziu, duke qenë shtyllë e skuadrës para repartit mbrojtës.
LIGA E KOMBEVE - TABELAT DHE ORARI
Në pjesën e dytë, vendasit u treguan më të rrezikshëm dhe në raste të caktuara e rrezikuan portën e kapitenit Ujkani, mirëpo reparti defansiv i Kosovës nuk lejoi që të pranohet gol dhe takimi u mbyll me rezultat të bardhë.
Kur marrim parasysh që Azerbajxhani është kundërshtari më i fortë i grupit, rezultati i sontëm mund të quhet pozitiv, sidomos kur dihet që takimin e dytë ndaj Azerbajxhanit e luajmë në Prishtinë në xhiron e fundit të grupeve të Ligës së Kombeve.
Ndeshjen e ardhshme në Ligën e Kombeve Kosova e luan pas 3 ditëve në Prishtinë ndaj Ishujve Faroe.