Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA U17 - EURO 2023 KUALIFIKIMET

Kosova U17 mbyll kualifikimet si e fundit në grup

Kosova U17 mbyll kualifikimet si e fundit në grup


11 October, 2022 @18:37

Kombëtarja e Kosovës U17 e ka mbyllur me barazim turneun kualifikues të Grupit 8 për Kampionatin Evropian 2023, ndeshjet e të cilit grup u organizuan nga FFK në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Pas humbjes nga Italia në ndeshjen e parë (2:5) dhe më pas nga Greqia (0:5), Dardanët U17 të drejtuar nga Arsim Abazi barazuan 1:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në duelin e fundit kundër Finlandës. Ky rezultat ia mundësoi Finlandës të kualifikohet tutje bashkë me Italinë, derisa Greqia (sot pësoi humbje nga Italia 0:2) dhe Kosova i mbyllën garat kualifikuese në rrethin e parë. Kosova kaloi në epërsi qysh më minutën e 6-të, me golin e Luan Lleshit nga penalltia. Në pjesën e parë, Dardanët U17, patën edhe disa mundësi të mira, por nuk u treguan të shkathtë para portës rivale. Ndërkaq, në pjesën e dytë, Finlanda ishte më këmbëngulëse në kërkim të golit, ngase barazimi i nevojitet për t’u kualifikuar tutje. Dhe këtij qëllimi, ata, ia arritën tre minuta para përfundimit të ndeshjes, kur Aapo Bostrom shënoi nga afërsia pas një rrëmuje para portës.

Përzgjedhësi Arsim Abazi pas përfundimit të kësaj ndeshje theksoi se sivjet grupi kualifikues ka qenë shumë i fortë, porse ka pritur më shumë nga ekipi i tij. “Të them të drejtën kam pritur më shumë nga ekipi, edhe pse grupi ka qenë shumë i fortë. Mungesa e përvojës në arenën ndërkombëtare ka ndikuar te lojtarët tanë, sidomos në dy ndeshjet e para. Kundër Italisë kemi qenë të vetëdijshëm se do të jetë vështirë t’i kundërvihemi me sukses, ngase ka një ekip shumë të mirë, derisa kundër Greqisë kemi pritur rezultat pozitiv. Në atë ndeshje kemi shpërdoruar shumë raste, teksa kemi pësuar gola shumë të lehtë dhe realisht rezultati nuk ka qenë real në bazë të lojës së shfaqur nga të dyja ekipet. Ndërkaq, në ndeshjen e sotme kundër Finlandës edhe pse e pësuam golin e barazimit në fund, mund të them se djemtë kanë luajtur mirë dhe janë angazhuar maksimalisht. Ndoshta edhe e kemi merituar ta fitojmë ndeshjen, por futbolli është i tillë, kur nuk shënon atëherë pëson”, ka theksuar Abazi. Italia e mbylli këtë turne kualifikues në pozitën e parë me 9 pikë, Finlanda doli e dyta me 4 pikë, Greqia e treta me 3 pikë dhe Kosova e fundit me 1 pikë.


 
Të gjitha lajmet nga Kosova