PËRFAQËSUESJA U17

Foto: FFK
Kosova U17 mposht Shqipërinë, në luftë për vendin e tretë
23 November, 2017 @19:01
Pas fitores ndaj Azerbejxhanit, Kosova U17 sot e ka mposhtur përfaqësuesen e Shqipërisë me rezultat 2-1, për ta siguruar kështu pozitën e dytë të Grupit A në turneun ‘Mercedes Benz Aegean Cup’.
Dy golat e fitores për Kosovën U17 u shënuan nga Veton Tusha, ndërsa për Shqipërinë shënoi Sallu në minutën e 90’ të ndeshjes.
Fitorja e sotme ka bërë që Kosova U17 e drejtuar nga Besnik Kollari tashmë të jetë në luftë për vendin e tretë dhe për këtë pozitë përfaqësuesja jonë do të luajë ndaj Rusisë ditën e shtunë.
Pas fitores, përzgjedhësi Besnik Kollari deklaroi:
“Ishte një lojë e mirë, ku krijuam shumë raste shënimi sidomos në pjesën e parë, por realizuam vetëm dy herë. Madje kur pritej që takimi të përmbyllet me rezultat 2:0 për Kombëtaren tonë, në sekondat e fundit Shqipëria shënoi të ashtuquajturin gol të nderit. Tash, do të presim se si do të rrjedhin gjërat.”
Kjo ishte ndeshja e tretë e Kosovës në kuadër të këtij turneu sivjet. Përveç fitores ndaj Azerbejxhanit, Kosova ishte mposhtur në takimin e parë të luajtur ndaj Turqisë.