MIQËSORE
Kosova U19 mposht bindshëm Kazakistanin
Teksti: FFK
26 January, 2018 @19:48
Kosova U-19 ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të përgatitjeve për rrethin elitë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, i cili do të zhvillohet prej 21 deri më 27 mars në Portugali.
Pasi në ndeshjen e parë Kosova mundi Azerbajxhanin, me rezultat 1:0, sot Kosova ka shënuar një fitore bindëse kundër Kombëtares U-17 të Kazakistanit.
Në të vërtetë edhe pse rezultati ishte i thellë prej 4:0, Kazakistani u tregua mjaft i mirë, por djemtë e reprezentacionit U-19 bënë diferencën. Shënues për Kosovën ishin Edison Kqiku, Lot Celina, Liridon Balaj dhe Egzon Gashi.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi Ramiz Krasniqi u shpreh:
”Ishte një ndeshje e mirë e shumë cilësore. Pati shumë aksione e bashkëveprime të bukura dhe mjaft raste për shënim. Shënuam katër herë. E mira ishte se patëm rastin të provojmë të gjithë futbollistët e kjo na mundësoi të shohim cilësitë individuale të secilit veç e veç por edhe si kolektivitet”.
Kosova ndeshjen e radhës sërish do ta zhvillojë me Kombëtaren U-19 të Azerbajxhanit të dielën më 28 janar.