COPA DEL REY
Coutinho debuton, Barça jo lehtë në gj’finale
25 January, 2018 @23:27
Barcelona përkundër se ka shënuar dy gola të shpejtë dhe ka krijuar epërsi 2-0 brenda 25 minutave të para të ndeshjes, nuk ka arritur t’i jap goditje vrastare rivalit lokal, Espanyol.
Mysafirët gjithmonë mbajtën Barcelonën nën kërcënim të eliminimit, në rast të një goli si mysafir dhe në 20 minutëshin e fundit kishin dy raste të mira që nuk i shfrytëzuan. Kujtojmë, Espanyol kishte fituar ndeshjen e parë çerekfinale, 1-0.
Në anën tjetër, Barcelona me lojën e saj të zakonshme dominoi, pati raste, ndërsa më të mirën në pjesë të dytë e shpëtoi (në dy tentime) portieri i Espanyolit, Pau Lopez.
Braziliani Philippe Coutinho debutoi te ekipi i tij i ri sonte, duke e zënvendësuar Andres Iniestan, kurse publiku e priti me ovacione lojtarin, duke mos u ndalur deri në fund të ndeshjes në çdo prekje topi që e bënte.
Në fund, 2-0 për Barcelonën, ndërsa rezultati i përgjithshëm, 2-1, pas dy ndeshjeve, çon blaugranat në gjysmëfinale të garës së Kupës së Mbretit.
Sevilla, Valencia dhe Leganes, janë gjysmëfinalistët tjerë të Copa del Rey.