KUKËSI
Kosovarët me pasaporta shqiptare
31 July, 2013 @14:57
Yll Hoxha dhe Besar Musolli, të cilët stinorin e kaluar kaluan në Kukës nga Superliga e Kosovës, me procedurë të përshpejtuar do të paisen me pasaportë shqiptare.
Pas problemeve të paisjes me viza për në Ukrainë, ku Kukësi do të duhet të udhëtojë për ndeshjen e kthimit të xhiros së tretë të Europa League, krerët e Kukësit kanë kërkuar ndihmën e presidencës shqiptare e cila i ka përshpejtuar procedurat për dyshen kosovare.
Kështu, brenda disa ditësh, dyshja kosovare e skuadrës kukësiane do të paiset me pasaportë shqiptare dhe nuk do të ketë probleme që të udhëtojë për Ukrainë.
Yll Hoxha konsiderohet si njëri ndër lojtarët më të mirë të Kukësit dhe trajneri Armando Cungu llogarit shumë në të. Besar Musolli në anën tjetër është suspenduar nga UEFA-ja për shkak të sjelljeve të pahijshme me katër ndeshje moslojë.
Kukësi nesër takohet në Tiranë me Metalurh Donetskun, në përballjen e parë të këtyre skuadrave në Europa League.