FINALJA E KUPËS

Kupa e Ferronikelit
7 June, 2014 @18:59
Përparim Livoreka ka shfrytëzuar mahnitshëm një top të gabuar të mbrojtjes së Hajvalisë në minutën e parafundit të kohës së rregullt të finales së Kupës së Kosovës.
Kaçanikasi ia vodhi topin mbrojtjes së Hajvalisë dhe plasoi topin bukur në këndin e djathtë të portës hajvaliase për të shënuar golin e fitores dhe të rezultatit 2-1, që solli Kupën e parë të Kosovës në histori të klubit të Ferronikelit.
Pjesa e parë nisi fuqishëm. Ka qenë njëri ndër futbollistët më të mirë të Ferronikelit, Elhami Berisha, kur depërtoi bukur dhe i krijoi vetes hapësirë për të shutuar dhe për të shënuar golin e epërsisë 1-0.
Mirëpo, gëzimi i ekipit drenicak nuk zgjati shumë. Ka qenë Shkëlqim Pacolli i cili pas vetëm 9 minutave u gjend më së miri në zonën e drenicakëve për të barazuar rezultatin në 1-1.
Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim 15 minutësh, derisa në pjesën e dytë në posedim dominonte Hajvalia e Sunaj Keçit, karshi djeloshave të Ramiz Krasniqit, që ditë më parë kishin luajtuar mbi 120 minuta lojë për të siguruar Superligën vetëm pas penalltive ndaj Gjilanit në ndeshjen e barazhit.