DONIS AVDIJAJ
Kushdo që luan, jep maksimumin
12 November, 2018 @22:05
Donis Avdijaj, që po kalon kohë të mirë te ekipi i tij në Eredevisie të Holandës, ka qenë i kënaqur me stërvitjen e parë para ndeshjeve vendimtare të Kosovës.
Ai është shprehur se me rëndësi është që Kosova të përfundojë e para në grup, pa marrë parasysh nëse luan apo jo.
”Është hera e parë për ne si ekip që të arrijmë diçka. E kemi mundësinë dhe kualitetin që t’i fitojmë të dy ndeshjet, por secili ekip tash dinë të luajë futboll dhe i ka opsionet e veta, prandaj duhet të japim maksimumin si ekip për t’i fituar ndeshjet dhe pastaj për ta festuar suksesin e parë. Në ekipin tim jam në formë shumë të mirë, por kur grumbullohem me Kosovën interesin tim e vendos prapa. Mua më intereson që ta shfrytëzojmë këtë mundësi si ekip dhe të arrijmë sukses. Nëse arrij ta jap kontributin tim do të isha i lumtur, por ky është futboll dhe kushdo që luan duhet ta japë maksimumin,” ka thënë Avdijaj për faqen zyrtare të FFK-së sonte.
Kosova udhëton në Maltë për ndeshjen e parafundit, ndërsa pret Azerbajxhanin në duelin e fundit kualifikues të Grupit 3 në Ligën D të Kombeve.
Nëse Kosova fiton grupin, do të sigurojë plasmanin në Ligën C si dhe do të ketë mundësinë për t’u kualifikuar në EURO 2020 në fazën finale të playoffit nga Liga e Kombeve në Kampionatin Evropian.