VEDAT MURIQI
Të ecim përpara si ekip dhe si shtet
12 November, 2018 @21:53
Njëri nga futbollistët që ka qenë i pranishëm në stërvitje të Kosovës sot, Vedat Muriqi, ka theksuar se ekipi dëshiron që të kualifikohet që në ndeshjen e radhës.
Sulmuesi prizrenas gjithashtu ka theksuar se nuk është më rendësi kush shënon, por të fitojë Kosova.
“Presim të kualifikohemi tutje dhe jemi shumë optimistë për këtë. Sonte kemi stërvitur vetëm një pjesë e lojtarëve, pasi ata që kanë luajtur dje nuk kanë qenë në këtë stërvitje. Në ditët e ardhshme do të jemi të kompletuar në stërvitje dhe besoj se do të arrijmë të përgatitemi mirë dhe ta arrijmë kualifikimin qysh në Maltë dhe pastaj të kthehemi në shtëpi kundër Azerbajxhanit për festë. Sulmuesi gjithmonë matet me gola, pa marrë parasysh a ka luajtur mirë apo jo dhe kështu është kudo. Në ndeshjen e kaluar kundër Maltës jam angazhuar shumë dhe pas disa rasteve e gjeta edhe golin. Sidoqoftë, nuk është e rëndësishme kush shënon gol sidomos në kombëtare. Rëndësi ka fitorja dhe të ecim përpara edhe si ekip edhe si shtet,” ka thënë Muriqi, shkruan faqja zyrtare e FFK-së.
Muriqi ka qenë njëri ndër golashënuesit e Kosovës në fitoren e fundit të ekipit, ndaj Maltës në Prishtinë.
Kosova udhëton në Maltë për ndeshjen e parafundit, ndërsa pret Azerbajxhanin në duelin e fundit kualifikues të Grupit 3 në Ligën D të Kombeve.
Nëse Kosova fiton grupin, do të sigurojë plasmanin në Ligën C si dhe do të ketë mundësinë për t’u kualifikuar në EURO 2020 në fazën finale të playoffit nga Liga e Kombeve në Kampionatin Evropian.