SPANJË
Fillon La Liga, Barcelona apo Reali?
Shkruan: Luan MORINA
19 August, 2016 @20:00
Edhe një sezon tjetër i La Ligës, edhe një shpresë e radhës për mrekullinë e Atletico Madrid. Vetëm skuadra e Simeones ka mbetur të sfidoj dyshen e përhershme të kampionëve, tani pas largimit të Emeryt nga Sevilla.
Valencia pasi harxhoi shumë vitin e kaluar, dhe atë pa sukses, këtë vit është ndalur në huazime dhe marrje të lojtarëve të dorës së tretë si Nani. Bilbao kurrë nuk ka qenë një ekip që ka rrezikuar kreun, e as Villarreal nuk ka konstrukt kampioni. Sikur Sevilla, edhe ata janë përqendruar në sjelljen e talenteve nga Italia dhe emrat brazilian që me vite kanë qenë të lidhur me Evropë, por kurrë pa arritur të bindin.
Osasuna, Gijon, Leganes, e Alaves duhet të rrezikojnë rënien, pa përjashtuar edhe Granadan që gjithnjë sillet në atë pjesë të renditjes. Espanyol për shkak të politika nënçmuese për emrin që kanë do të meritonte largimin nga liga, por megjithatë do të arrijnë të shpëtojnë.
Pra, ajo çfarë mbetet të përcaktohet në La Liga, edhe këtë sezon, është pozita e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve dhe e gjashta për të fundit në Evropë.
Barcelona
Kampioni aktual, Barcelona, do të duhet të bëhet merak për shitjen e Halilovicit dhe Bartras. Tello që sa kohë po shëtitet si i huazuar, derisa Montoya është larguar falas. Talentet e Barcelonës nuk po janë sikur gjenerata e artë e dekadës së kaluar dhe është normale. Asnjë ekip s’mund të prodhoj gjithmonë talente. Për atë edhe duhet të blihet kohë pas kohe.
Dhe as këtu nuk po funksionojnë katalunasit së fundmi. Song e Vermaelen largohen këtë vit, njëri përgjithmonë. Vidal e Arda nuk kanë gjetur veten, dhe e njëjta mund të ndodh edhe me Umtitin e Dignen. Ndoshta presioni psikik ndikon tek disa emra që vijnë, të cilët thjeshtë s’mund të përshtaten në formacionin e Barcelonës. Zor është të gjendet dikush që funksionon në këtë makinë mirë të lyer. Por, ndryshimet janë të detyrueshme. Këto së fundmi po vuajnë t’i gjejnë.
Reali
Kampionët evropian kanë bërë një treg më ndryshe nga zakonisht. Zidane po avancon nxënësit e tij dhe kjo mund të jetë një shenjë brengosëse për shumicën e fansave. Gjithashtu, Zizou nuk ka ndonjë përvojë të veçantë dhe nuk gabojmë nëse themi se bajagi me fat kanë fituar Ligën e Kampionëve vitin e kaluar. Ashiqare Florentino nuk është i bindur në Zidanen dhe mungesa e transferimeve që bien në sy, shumica të panevojshme për ekipin si rasti i Danilos është një luftë e ftohtë ndërmjet kryetarit dhe trajnerit. Se kush do të fitoj, do të mbetet të shihet, por një gjë dihet – Reali nuk e fiton Ligën e Kampionëve! Zor e ka edhe për La Ligën!
Atletico
Atletico është përforcuar më së shumti në këtë afat. Do të duhej të sfidonte Realin e Barcën, por duke u përqendruar në dy frone do ta ketë vështirësi. Nuk kanë thellësi të mjaftueshme në ekip për të mbajtur konsistencën në ligën spanjolle ku nevojitet të mposhten 15 ekipe nga dy herë. Dhe në të njëjtën kohë për të luftuar në Ligën e Kampionëve. Një grup jo i fortë aty mund t’i lehtësoj punën, por zor që do të mjaftojë.
Të tjerat
Villarreal, Sevilla, e ndoshta, ndoshta Valencia mund të rrezikoj të katërtën. Dy të parat kanë bërë blerje të mençura dhe varet se sa përshtaten me planet e trajnerit për të shfaqur sukses. Valencia nuk ka as trajner.
Pra, Reali mund të përqendrohet në ligë me Barcelonën të vendosur për Ligën e Kampionëve. Atletico do të shoh se ku do ta ketë më lehtë të përqendrohet, ku mund të mbajë hapin. S’dyshoj që preferojnë Ligën e Kampionëve. Të tjerat janë aty sa për sy e faqe, për të ndarë troshat që mbesin nga kulaqi që do ta ndajnë dy të mëdhatë.