BARCELONA

REUTERS
Lamtumira e Puyolit
15 May, 2014 @22:09
Flokëgjati dredha-dredha, kampioni europian dhe botëror me Spanjën që ka qenë i adhuruar për shkak të vetisë së tij të mosdorëzimit deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Carles Puyol, i ka thënë lamtumirë Barcelonës si lojtar.
Ai nuk arriti assesi që këtë stinor të këndellet nga lëndimi në gjurin e tij dhe i ka thënë lamtumirë ekipit të tij sot.
Prodhim i shkollës së Barcëlonës, La Masia, Puyol debutoi në kohën e trajnerit Louis Van Gaal dhe i ndihmoi ekipit të tij që të fitojë tre tituj të Ligës së Kampionëve, 2006, 2009 dhe 2011.
Ai ka qenë pjesë kyqe e ekipit të famshëm të Pep Guardiolës që ka arritur t’i fitojë gjashtë trofe në një vit kalendarik, 2009.
“Kam provuar gjithçka që të kthehem në fushë,” ka thënë ai sot në konferencën për shtyp, i rrethuar nga familjarët, shokët, bashkëlojtarët e dikurshëm, të tashëm dhe zyrtarët e klubit.
“Nuk gjetëm zgjidhje, por unë nuk e kam ngritur flamurin e bardhë,” ka shtuar 36 vjeçari, duke paralajmëruar se mund të vazhdojë karrierën diku tjetër nëse i përmirësohet gjuri me kohë.
Ndër të tjera, Puyol ka thënë se pjesa më kulmore e karrierës së tij ka qenë momenti kur mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal, ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve në Wembley në vitin 2011. Abidal në atë kohë posa ishte kthyer në ekip pas luftës me kancerin dhe Puyol përkundër se ishte kapiten, ia lëshoi vendin Abidalit që ta përjetojë momentin e ngritjes së trofeut.