LIONEL MESSI
Lamtumira me lot
8 August, 2021 @12:33
Marrëveshja ishte arritur, gjithçka ishte rregulluar, pos arritjes së kufirit të rrogave të vendosur nga LaLiga.
Dhe kështu, Lionel Messi, ndër futbollistët më të mirë në histori të këtij sporti, nën lot, i ka thënë ndër të tjera edhe lamtumirën klubit ku u rrit, që i solli gjithçka dhe arriti të gjithat.
“Kam qenë i bindur se do të qëndroja këtu, te Barcelona, te shtëpia ime, shtëpia jonë. Plani ishte që të qëndroja… dhe sot po ju them lamtumirë, pas gjithë jetës së kaluar këtu,” ka thënë Messi.
“Më dhemb, natyrisht që më dhemb, sepse po e lë klubin që e dua. Nuk e prisja. Gjithmonë e kam thënë të vërtetën. Në sezonin e kaluar doja të largohesha, por këtë stinor jo. Ky është momenti më i dhimbshëm për mua. Asnjë humbje nuk krahasohet me këtë moment,” ka thënë argjentinasi.
“Natyrisht, Barcelona do të jetë e fortë. Shumë futbollistë të mëdhenjë kanë ardhur këtu dhe do të mësohen të gjithë edhe pa Messin. Në fillim ndoshta do të jetë jo e zakonshme, por koha do t’i mbulojë të gjitha,” ka shtuar ai.
Facoletën për t’i fshirë lotët yllit argjentinas ia dha gruaja e tij, Antonella Rocuzzo, derisa ylli nën dridhje të zërit ka treguar se e tërë ajo që ka thënë Joan Laporta dje ka qenë plotësisht e vërtetë dhe se asnjë opsion tjetër nuk ka qenë i mundur për të vazhduar me klubin.
Messi po përflitet që tash mund të kalojë te PSG në Ligue 1, ku do t’i bashkohet ish-bashkëlojtarit Neymar, derisa vëllau i pronarit të ekipit francez ka bërë të ditur se marrëveshja me argjentinasin është arritur.
Sipas mediave tjera, rroga e Messit te PSG pritet të jetë 40 milionë euro në vjet, ndërsa kontrata e tij do të jetë 2+1 vjeçare, shto këtu edhe bonusin për nënshkrim, që kap shifrën e 30 milionë eurove.