5 PËR VIKEND
Leicester karshi lëmshit Evropian!
Shkruan: Luan MORINA
12 March, 2016 @9:00
1. Dortmund – Mainz (e diel, ora 5e30)
Mainzi ka befasuar Bayernin dhe është normale, por ndoshta e tepruar që të pritet e njëjta edhe ndaj Dortmundit. Borussia pothuajse ka kryer punën në Europa League që duket se është synimi kryesor këtë sezon dhe mund ta lë në plan të dytë këtë garë, së paku këtë të diele. Ndërkohë Mainzi sado që ka ekip të mirë nuk është mjaft e mirë për Ligën e Kampionëve. Kanë qenë në Europa League para disa viteve, por asgjë të veçantë nuk kanë treguar. Pak a shumë si Augsburg. Dortmund do të duhej të fitonte, por Mainz nuk bën lojë të mbyllur, ngjashëm si Teuchel.
2. Manchester Utd – West Ham (e diel, ora 5)
Filozofia e Van Gaalit po shkatërron nerva më shumë se profesori i filozofisë në gjimnaz. Ngjashëm si Rexha që lëshonte ndonjë fjalë aty-këtu që të bënte të mendoje, nganjëherë të qeshje, edhe Van Gaal ka disa ndeshje që të bëjnë të mendosh se po funksionon kjo filozofi. Ama nëse mbledh gjithçka, dhe sheh emrin e ekipit, kupton që është një filozofi e gabuar. Ndërkohë Bilic, me ekipin që ka po bën gjëra të mrekullueshme. Titulli në FA Cup nuk do të ishte befasi, aq më pak kur dihet ‘dashuria’ që ka ndaj ekipeve të mëdha. Ka fituar në të gjitha stadiumet e mëdha, pse të mos fitoj edhe këtë të diele në Old Trafford.
3. Sevilla – Villarreal (e diel, ora 4)
Sevilla është në sezonin e rindërtimit. Kanë fatin që nuk kanë ekipe serioze në Evropë, por Liga e Kampionëve i ka lënë pak mbrapa në La Liga. Villarreali është ekip shumë më i mirë këtë sezon. Kanë një ekip të komponuar që po tregon dhëmbët në të gjitha garat. Do të duhej të ishte një përballje e baraspeshuar, së paku në letër.
4. Leicester – Newcastle (e hënë, ora 9)
Ka gjasa të mëdha që McLaren të mos jetë pjesë e Newcastle të hënën. Ka kohë që të nisin mbijetesën edhe pse dyshoj se do t’ia dalin me Benitezin, por fitorja ndaj Leicester do të ishte një shtytje e rëndësishme në këtë drejtim. Ndërkohë skuadra e Ranierit në ndeshje të këtilla kur orari i ekipeve kryesore rivale është bërë lëmsh me angazhimin në Evropë dhe angazhimin e kundërshtarëve të tyre në Kupë, do të duhej të krijonte një distancë edhe më të sigurt pasi ndeshjet e mbetura jo gjithnjë sjellin fitore. Titulli fitohet në ndeshje të këtilla, me kundërshtarë shumë më inferior, dhe Leicester do të duhej të dëshmonte se janë të denjë për titull.
5. Everton – Chelsea (e shtunë, ora 6e30)
Chelsea tashmë po mendon për sezonin e ardhshëm. Një titull do të ishte si mbulesë mbi një sezon katastrofal, por s’do të mbulonte gjithë ato njolla që kanë përcjell skuadrën e Abramovich këtë sezon. Në anën tjetër Evertoni i duhet një rimëkëmbje sidomos pas kritikave ndaj Martinez. Akoma mendoj që ai është njeriu i duhur për Evertonin, edhe pse derisa Moyes është i papunë presioni do të bie mbi të, padrejtësisht. Evertoni nuk e ka frikë Chelsean dhe do të ishte një hakmarrje e bukur për humbjen e padrejtë në Premier League këtë sezon.